Opozita: Plani i veprimit, protesta masive pas djegies së mandateve!

Opozita: Plani i veprimit, protesta  masive pas djegies së mandateve!

Pas djegies së mandateve parlamentare, opozita do të vazhdojë me protesta masive. Ky është thelbi i planit të veprimit që opozita e bashkuar ka miratuar dje në një takim të posaçëm. I thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, ai përcaktoi të gjitha hapat që do të ndërmerren tani e në vazhdim prej saj. “U diskutua për zhvillimin e protestave masive, për ta kthyer qeverisjen në binarët kushtetues”, tha pas daljes nga ky takim, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Duke shtuar se opozita duhet të bëjë çdo gjë që kërkojnë shqiptarët për ta kthyer vendin në rrugën e duhur.

Ndërsa aleati tjetër opozitar, Dashamir Shehu deklaroi se kërkesat e opozitës mbeten të njëjtat, largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të reja dhe të lira. “Ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, por duhet që të kuptohet sesa të jetë Edi Rama do ketë drogë dhe jo stabilitet”, theksoi kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ndërkaq, i pyetur se nëse Rama nuk tërhiqet pas djegies së mandateve,  a do të tërhiqet opozita nga zgjedhjet lokale, ai sqaroi se tha se “sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë, në gjithë institucionet dhe hapësirën politike”. “Këtë nuk e kemi diskutuar akoma, por duhet të presim protestën e datës 16 njëherë. Protesta e madhe do të jetë në datën 16”, shtoi ai. Ndërkaq, në këtë takim të aleatëve opozitarë, dje ishte e pranishme edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, si edhe Agron Duka, i partisë Agraro- Ambientaliste.