Opozita në protestë, PS-ja në tur takimesh për zgjedhjet vendore

Opozita në protestë, PS-ja në tur  takimesh për zgjedhjet vendore

PD-LSI ka paralajmëruar vazhdimësinë e protestave, Partia Socialiste po vazhdon takimet e saj me bazën në mënyrë normale mbi përgatitjet për zgjedhjet e 30 qershorit

Një sfidë e hapur ndaj opozitës. Kështu mund të konsiderohet turi që ka ndërmarrë mazhoranca pranë bazës së saj, ku po diskuton mbi zgjedhjet e 30 qershorit. Një aksion politik ky, i zgjedhur në një kohë kur opozita pasi ka djegur mandatet e deputetëve, ka paralajmëruar edhe vazhdimësinë e protestave, deri edhe mosbindje civile apo mosnjohje të policisë. Madje, ky aksion po shoqërohet edhe me mesazhe indirekte, siç mund të jetë ai i djeshmi kur kryesocialisti Edi Rama u shfaq krah pwr krah me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Ai wshtw mjaft i shigjetuar prej opozitës. Vetëm para pak ditësh, kryedemokrati Lulzim Basha tha publikisht se “këto ditë pritet arrestimi i Vangjush Dakos”. Nga ana tjetër, një takim i socialistëve është zhvilluar edhe në Shkodër, ku ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati apeloi për dialog mes palëve. Më tej, ai tha se është diskutuar për hapat që po ndërmerren për zgjedhjet vendore të afërta.

“Diskutuam mbi hapat që po ndërmarrim drejt përzgjedhjes së ekipeve fituese për zgjedhjet vendore dhe zhvillimet e fundit politike”, komentoi Bushati rreth këtij takimi.

Edhe në takimet e tjera të Dibrës e Korçës është folur për zgjedhjet

Angazhim maksimal për zgjedhjet vendore. Kjo është ajo çka ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka kërkuar dje nga strukturat e Partisë Socialiste të Qarkut të Dibrës. Kurseduke komentuar situatën politike, ajo tha se është e paprecedentë.  Nga ana tjetër, deputeti Taulant Balla në takimin e Asamblesë së Partisë Socialiste në Korçë, tha se “ne nuk kemi ndërmend të ndërpresim punën tonë, drejt 2021-shit”. “Përpara se të shkojmë në 2021-in kemi 30 qershorin”, shtoi ai. Më tej, tha se opozita me protestën e fundit realizoi edhe përpjekjen e fundit për të bllokuar votimin në Kuvend të strukturës së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.