Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, Zaev kundër

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme,  Zaev kundër

Opozita në Maqedoninë e Veriut kërkon dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo kërkesë vjen pas bisedave telefonike të kryeministrit me komedianët rus, ku ai kishte shpalosur shumë detaje që konsiderohen si interes shtetëror.

VMRO-DPMNE-ja shprehet e shqetësuar duke ngritur pyetjen se me kë tjetër ka biseduar kryeministri brenda kësaj periudhe dhe çfarë informacionesh ka shpërndarë.

“E ftojmë Zaevin të përballet me pasojat e katastrofës që shkaktoi, të japë dorëheqje, të formohet qeveri teknike dhe të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Për opozitën shqiptare, publikimet e fundit janë vetëm një arsye më shumë për dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa numërojnë arsyet e, siç e quajnë ata, dështimit të pushtetit.

Kryeministri Zaev edhe një herë gjatë ditës përsëriti qëndrimin se nuk planifikon të japë dorëheqje. Pushteti vlerëson se nuk është kohë e përshtatshme për zgjedhje të reja duke marrë parasysh proceset integruese.

“Vlerësojmë se në një periudhë të këtillë kur shteti është para fillimit të negociatave me BE-në, kur duhet të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s, duhet t’i kemi parasysh të gjitha aspektet para se të sjellim vendim”, theksoi deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Zgjedhje të parakohshme opozita kishte kërkuar disa herë përfshirë këtu edhe periudhën pas zgjedhjeve presidenciale. Zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të zhvillohet në dhjetor të 2020./IBNA