Opozita i dorëzoi mandatet parlamentare me “ceremoni”

Opozita i dorëzoi mandatet  parlamentare me “ceremoni”

Një “ceremoni” e vërtetë mes mbështetësve të saj, mund të konsiderohet ajo e dorëzimit të mandateve parlamentare dje nga deputetët e opozitës. Ajo nisi si një protestë marshim nga selia e Parlamentit, për të vazhduar më tej tek ajo e Kryesisë së tij, ku edhe u paraqitën dorëheqjet e deputetëve. Gjithçka, nën “ethet” e ndonjë përplasje të mundshme mes palëve, por që këtë herë ndryshe nga protesta e 16 shkurtit, u finalizua pa të tilla, përveçse disa shashkave të hedhura nga protestuesit në sheshin e Kryesisë së Kuvendit…

***

“Rrethimi” i Parlamentit

Protesta e djeshme e opozitës, e udhëhequr nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, nisi me drejtimin e tyre nga selia e Parlamentit. Aty ku mazhoranca nuk u paraqit në punimet e radhës, pas vendimit të bërë me dije dy ditë më parë nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Mbështetës të opozitës, kanë dhuruar lule për policinë e vendosur si “gardh” në hyrje të Parlamentit, ndërsa kanë ndezur edhe disa qirinj në kujtim “të parlamentit të vdekur”. Me pankarta në duar, ata kanë vazhduar në kor thirrjet “Rama ik!”.

Mesazhi i Bashës

“Unë jam Lulzim Basha, qytetar i Tiranës në krahun tuaj dhe me ju deri në fitoren totale të kësaj beteje”. Është kjo mënyra në të cilën kryedemokrati Lulzim Basha e nisi fjalën e tij në protestën e djeshme, teksa ju referua djegies së mandateve.

“Për Edi Ramën dorëheqja është vetëm fillimi, ai do të shkojë para drejtësisë, aty ku e meriton sipas ligjit ndaj i bëj thirrje Policisë së Shtetit që të mos lejojë daljen nga kufijtë e Shqipërisë të të pandehurit të Popullit Edi Rama”, deklaroi Basha.

Mesazhi i Kryemadhit

Nga ana e saj, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi në nisje të protestës se Edi Rama përdor uniformën e policisë për të shtypur dhe shfrytëzuar qytetarët. “Sot mandatet tona nuk janë më fasadë e një parlamenti që rrethohet me tela me gjemba, por janë mandatet e banorëve të Unazës së Re, minatorëve, naftëtarëve dhe atyre studentëve që në mënyrën më të bukur i nxorën bojën shteti të kapur të Edi Ramës”, u shpreh ajo.

Drejt Kryesisë së Parlamentit

Pas selisë së Parlamentit, protestuesit opozitarë i janë drejtuar selisë së Kryesisë së tij, aty ku dhe u bë zyrtarisht dorëzimi i mandateve të deputetëve.

Para godinës së Kryeministrisë

I ndjekur nga protestuesit të cilët thërrisnin në kor “Rama ik! Rama ik!”, kryedemokrati Basha i cili doli nga Kryesia, ku dorëzoi mandatet e deputetëve opozitarë, u drejtua në një tjetër marshim. Ai priu protestuesit, para Kryeministrisë, por pa u ndalur atje, duke përfunduar marshimin e tyre drejt selisë së Partisë Demokratike.

MESAZHI

Basha: I vumë kyçin parlamentit,

sot jemi qytetarë në krahun tuaj!

“Prej ditës së sotme, ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju”. Një mesazh të tillë u ka përcjellë mbështetësve të tij të mbledhur në fund të ptotestës së djeshme të opozitës para selisë së Partisë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha. “Nisëm sot një rrugëtim shprese, i cili nuk do të ndalet deri sa testimi europian i këtij vendi të bëhet realitet, deri sa të largojmë kryehajdutin dhe qeverinë kriminale. Rama ik!”, deklaroi gjithashtu ai.