Opozita bën fakt të kryer qeverinë tranzitore

Opozita bën fakt të kryer qeverinë tranzitore

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, thotë se mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme e ka sjellë vendin në një kolaps total të demokracisë, Kushtetutës, institucioneve, shtetit të së drejtës. Basha vlerëson se po ashtu është paralizuar drejtësia dhe vendi gjendet pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë dhe me Prokurori të kapur.

“Jemi në një gjendje të kolapsit total, sepse Shqipëria nuk ka as parlament legjitim, as qeveri legjitime, nuk ka shtet të së drejtës. Pasojat e korrupsionit të shfrenuar të qeverisë bien çdo ditë mbi jetët e shqiptarëve të pafajshëm anembanë vendit”, – tha z.Basha teksa shpalli dje “platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe detyrat e qeverisë tranzitore”.

Për z.Basha, “asgjësimi i votës së lirë ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë”. Sipas tij, “skandalet e kësaj qeverie do të mjaftonin që kafazi i të pandehurve të ishte plot me jakat e bardha të kabinetit dhe zyrtarëve më të lartë shtetërore, por kjo nuk ka për të ndodhur, sa kohë themeli i bashkëjetesës demokratike, vota e lirë është asgjësuar”.

Kryetari demokrat tha se “shkatërrimi i votës së lirë është themeli i mjerimit ekonomik, duke sjellë nivele të paprecedenta të papunësisë, të varfërisë dhe të papërgjegjshmërisë totale në shërbime që ky shtet e ka për detyrë t’ua japë qytetarëve të vet”.

Basha alarmoi se këtu nuk ka më asnjë instancë kontrolli pushteti dhe shtoi: “Të gjitha pushtetet janë në një dorë. Parlamenti ilegjitim kontrollohet nga qeveria ilegjitime. Pra nuk është parlamenti që të kontrollojë qeverinë, është qeveria që kontrollon parlamentin”.

Duke shpalosur platformën, e cila sipas Bashës është plani i punës së qeverisë së ardhshme, z.Basha bëri fakt të kryer krijimin e qeverisë kalimtare dhe tha se do të jetë një kabinet teknik, pa emra politikë.

Ai sqaroi se zbatimi i 10 detyrave të qeverisë për garantimin e zgjedhjeve nuk kërkon asnjë ndryshim ligjor, por vetëm vullnet politik.

Basha siguroi se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë e po ashtu pa opozitën nuk do të ketë. “Zgjedhje pa opozitën janë farsë dhe, në rastin më të mirë, janë një tentativë e dështuar për votim”, – theksoi Basha duke premtuar se “ne nuk do të lejojmë që krimi të bëjë më zgjedhje në Shqipëri”. Lideri demokrat tha se zgjedhje do të mbahen vetëm pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2016 dhe 2017.

E për këtë, Basha tha se “largimi i Ramës i hap rrugë zgjidhjes politike që ka kërkuar opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me PS dhe qeverinë e re tranzitore për të krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.