Opinion/Për sa vjet mund ta shlyejmë borxhin publik

Opinion/Për sa vjet mund ta shlyejmë borxhin publik

Eduard Zaloshnja

Treguesi më i përdorur për matjen e barrës së borxhit publik ndaj ekonomisë së një vendi, është raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).  Është një tregues që përdoret gjerësisht në media dhe që kuptohet lehtësisht nga publiku në përgjithësi. Aktualisht në Shqipëri ky tregues është në nivelin 70.8% e PBB-së.

Sidoqoftë, në qarqet e finacave publike përdoret edhe një tregues tjetër – raporti i borxhit publik ndaj të ardhurave të buxhetit. Rezultati i këtij pjestimi tregon se sa vite duhen për ta shlyer plotësisht borxhin publik, në qoftë se të ardhurat buxhetore përdoren VETËM për këtë qëllim (e jo qëllime të tjera si pagat, pensionet invetimet etj.). Me fjalë të tjera, ky tregues shërben për të matur aftësinë e shlyerjes së borxhit publik të një vendi.

Vitin që shkoi ky tregues ishte 2.6 për Shqipërinë, që do të thotë se na duhen 2.6 vjet për ta shlyer plotësisht borxhin publik, në qoftë se të ardhurat buxhetore përdoren VETËM për këtë qëllim. Ky tregues (numri i viteve për shlyerjen) është më i larti ndër vendet e Ballkanit jugperëndimor . Gjë që do të thotë se Shqipëria ka aftësinë më të vogël të shlyerjes së borxhit publik. Ndërsa Bosnja, Kosova dhe Maqedonia kanë treguesin më të ulët (domethënë kanë aftësinë më të madhe shlyerse).

Kur FMN-ja filloi programin e ndihmës buxhetore për Shqipërinë në vitin 2013, për ta ndihmuar qeverinë e re të shlyente detyrimet e prapabetura të qeverisë paraardhëse, parashikimi i përbashkët ishte që borxhi publik do të zbriste në nivelin 63.2% e PBB-së në fund të vitit 2018. Sipas atij skenari, raporti i borxhit ndaj të ardhurave buxhetore do të zbriste në 2.3, e jo 2.6, sa ç’u realizua faktikisht. Për më tepër, ky raport do të zbriste në 2 këtë vit, në qoftë se qeveria shqiptare do t’i ishte përmbajtur parashikimeve fillestare të FMN-së.

Por nuk ishte e thënë… Shifrat tregojnë qartë se qeveria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të ndjekë projeksionet e FMN-së. Shkaku kryesor i këtij dështimi ka qenë mbledhja e të ardhurave buxhetore poshtë parashikimeve. Të ardhurat buxhetore ende nuk e kanë kaluar tavanin 28% të PBB-së. Një tavan ky shumë më i ulët se i fqinjëve tanë veriorë (Mali i Zi, Serbia, Bosnja) të cilët vërtiten rreth nivlit 40% e PBB-së…