Opinion/Paralajmërimet e FMN-së

Opinion/Paralajmërimet e FMN-së

Nga Eduard Zaloshnja

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e Jan Kees Martijn, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 25 prill-6 maj 2019, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të dytë Pas Programit (MPP). Procesi i MPP-së është instrument mbikëqyrjeje të rregullt në ato vende që kanë një nivel kredie të pashlyer të FMN-së, në mbi 200 për qind të kuotës. Misionet e MPP-së kanë fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet për aftësinë ripaguese kundrejt FMN-së. Në përfundim të vizitës, misioni doli me disa konkluzione.

Rritja ekonomike

Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) pritet të moderohet në 2019, por do të vijojë të jetë afër nivelit 4 për qind në periudhën afatmesme. Këtë vit, rritja parashikohet të zbresë në nivelin 3,5 për qind, për shkak të rënies së prodhimit të energjisë elektrike, krahasuar me vitin rekord 2018, si dhe rënies së kërkesës në vendet ku eksporton Shqipëria.

Në periudhën afatmesme, veprimtaria prodhuese pritet të nxitet nga një përshpejtim i rritjes në BE, nga rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, nga fuqizimi gradual i eksporteve, përfshirë turizmin, dhe nga investimet në infrastrukturë. Sidoqoftë, FMN-ja thekson fort se zhvillimi i qëndrueshëm varet edhe nga përmirësimet në qeverisjen ekonomike, përfshirë në fushën e shtetit ligjor dhe në luftën kundër korrupsionit.

Borxhi publik

Borxhi publik vazhdon të jetë i lartë, në rreth 69.9 për qind të PBB-së (përfshirë detyrimet e prapambetura) në fund të 2018-ës, dhe parashikohet të zbresë në 66.3 për qind në fund të këtij viti (duke mbetur shumë larg objektivit 45%, të mishëruar në ligjin organik të buxhetit). Në nivelin aktual të borxhit publik dhe të deficitit, politika fiskale ka shumë pak hapësirë për të përballuar apo kompensuar tronditje negative. Gjithashtu, rrreziqet fiskale janë rritur edhe nga rritja e detyrimeve të kushtëzuara, siç janë ato që lidhen me partneritetet publike-private (PPP).

Thënë më shqip, FMN-ja rrëzon argumentimin e qeverisë se PPP-të po i përdor për të mos rritur borxhin publik (duke përdorur paratë e privatëve për projekte shërbime të ndryshme). Pagesat që u bëhen privatëve në vazhdim përbëjnë thjesht detyrime të kushtëzuara të buxhetit, njësoj si detyrimet ndaj kreditorëve të borxhit publik.

Të ardhurat buxhetore

FMN-ja i rekomandon qeverisë fuqizimin e sistemit tatimor, nëpërmjet anulimit të masave që e fragmentojnë dhe dobësojnë bazën tatimore dhe nëpërmjet nivelimit të fushës së lojës për bizneset. Thënë më shqip, FMN-ja është e pakënaqur me trajtimin preferncial që qeveria u bën disa bizneseve, duke i trajtuar disa si të nënës e disa si të njerkës. (Për krahsim, Mali i Zi, në kushte të ngjashme, pret këtë vit të mbledhë të ardhura buxhetore sa 42% e PBB-së, ndërsa Shqipëria vetëm sa 29% ePBB-së.)

Prandaj i rekomandohet qeverisë që të përfundojë sa më shpejt një strategji afatmesme për të ardhurat buxhetore, e cila do të mbulonte si politikat tatimore, edhe administrimin tatimor. Kjo qasje, sipas FMN-së  do të ndihmonte në arritjen e konsensusit për planin e të ardhurave dhe për një paketë të gjithanshme masash tatimore për arritjen e tij.

Detyrimet e prapambetura buxhetore

Në vitin 2013, detyrimet e prapambetura buxhetore, të akumuluara nga qeveria e mëparshme, arrinin shumën 650 milionë dollarë, sipas FMN-së. Ato u minimizuan fare në vitet 2015 e 2016, por janë rritur përsëri në vitin 2018, duke qenë sa gjysma e vitit 2013.

Këto detyrime të prapambetura, sipas FMN-së, e cenojnë klimën e biznesit dhe besimin në qeveri. Prandaj ajo i bën thirrje qeverisë të sigurojnë shlyerje të plotë dhe në afat të çdo kërkese të re të miratuar për rimbursim TVSHje, duke i mos i lidhur rimbursimet me flukset e të ardhurave tatimore.

Gjithashtu FMN-ja mirëpret planet e autoriteteve për të shlyer stokun e prapambetur të rimbursimit të TVSH-së sa më shpejt të jetë e mundur (dhe për pjesën më të madhe brenda vitit 2019). E rëndësishme është edhe marrja e masave të shpejta për të fuqizuar sistemin e kontrollit mbi angazhimet për projektet e investimeve, për t’u dhënë fund detyrimeve të prapambetura të qeverisë, në veçanti në fondin e rrugëve.

PPP-të

FMN-ja e nxit qeverinë t’i përdorë ndryshimet e fundit në ligjin mbi PPP-të, për t’i kufizuar rreziqet që lindin nga detyrimet e kushtëzuara të lidhura me to, si dhe për të siguruar administrim më të qëndrueshëm të investimeve publike. Kjo ka rëndësi për mbrojtjen e financave publike dhe për sigurimin e maksimizimit të vlerës.

Me marrjen përsipër të një roli të ri nga ana e Ministrisë së Financave, si filtër për PPP-të, FMN-ja sugjeron se duhet siguruar që kjo ministri të ketë kapacitetin për të vlerësuar rreziqet dhe kostot e këtyre projekteve, sidomos në fazën përpara studimit të leverdishmërisë. Nëkëtë kuadër, Ministria duhet të ketë të drejtën e marrjes së informacionit mbi të gjitha të dhënat kontraktore që kanë ministritë e linjës (përfshirë edhe për projektet ekzistuese). Gjithashtu, efektivitetin e kostos do ta rriste shumë eliminimi i fragmentimit të vendimmarrjes në menaxhimin e investimeve publike.

FMN-ja vijon ta nxisë qeverinë  që ta ndërpresë përdorimin e propozimeve të pakërkuara për të gjitha PPP-të.

Korporata e Investimeve Shqiptare

FMN-ja e këshillon fuqimisht qeverinë që t’i rishikojë propozimet e fundit për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), për të shmangur rreziqet ndaj buxhetit dhe ndaj integritetit të kuadrit të administrimit të investimeve publike.

Ky projektligj (në formën aktuale) do t’i jepte mundësi qeverisë të udhëzonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin KISH-in në një instrument shpenzues të mbajtur jashtë buxhetit. Në këtë mënyrë do të ulej disiplina fiskale dhe do të anashkaloheshin proceset e administrimit të investimeve publike.

Në fakt, ky kuadërligjor, sipas FMN-së, do të duhej të siguronte që KISH-i të ushtronte aktivitet në baza komerciale dhe si një subjekt i palidhur me qeverinë. Ligji duhet të afirmojë pavarësinë e KISH-it në vendimet operative dhe në përzgjedhjen e projekteve individuale të investimeve. KISH-i duhet patjetër të jetë objekt i Ligjit “Për prokurimin publik”, përfundon FMN-ja