Opinion/Lokomotiva dhe vagonët e PD-së

Opinion/Lokomotiva dhe vagonët e PD-së

Nga Eduard Zaloshnja

Historia 80-vjeçare e sondazheve politike në botë na tregon se, në shumicën dërrmuese të rasteve, kuotat e udhëheqësve të partive janë më të larta se kuotat e partive përkatëse. Kjo gjë ishte e vërtetë për PD-në në qershorin e 2015-ës.

Para zgjedhjeve lokale të 2015-ës, zhvillova një sondazh, nga ekstrapolimi i të cilit më rezultoi se për Bashën (kryetarin e PD-së), kishin opinion pozitiv rreth 750 mijë votues me banim në Shqipëri (34% e banorëve në moshë madhore).

Ndërkohë, kandidatët për kryebashkiakë të përzgjedhur nga Basha morën 670 mijë vota në ato zgjedhje. (Për krahasim, koalicioni i Berishës kishte marrë 680 mijë vota dy vjet më parë.)

Me pak fjalë, Basha iu përmbajt metaforës 80-vjeçare të sondazheve: Ishte lokomotiva ajo që tërhoqi vagonët…

Le të zhvendosemi dy vjet në kohë.

Dhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, zhvillova një sondazh, nga ekstrapolimi i të cilit më rezultoi se për Bashën (kryetarin e PD-së), kishin opinion pozitiv vetëm 330 mijë votues me banim në Shqipëri (15% e banorëve në moshë madhore).

Ndërkohë, kandidatët për deputetë të përzgjedhur nga Basha morën në zgjedhje 455 mijë vota. Me pak fjalë, Basha nuk iu përmbajt metaforës 80-vjeçare të sondazheve: Në këtë rast ishin vagonët që shtynë lokomotivën…

Dhe vijmë tani në ditët e sotme.

Javën e kaluar, kompania IPR marketing (zhvillon sondazhe për RAI-n sa herë ka zgjedhje në Itali) publikoi sondazhin e saj në një televizion në Tiranë. Nga ekstrapolimi i atij sondazhi, rezulton se rreth 580 mijë votues me banim në Shqipëri janë gati të votojnë sot për PD-në, ndërkohë që vetëm 290 mijë kanë opinion pozitiv për Bashën, kryetarin e PD-së. Me pak fjalë, Basha vazhdon të mos i përmbahet  metaforës 80-vjeçare të sondazheve: Edhe në këtë rast janë vagonët që shtyjnë lokomotivën (shihni grafikun shoqërues).

Por cili nga vagonët mund të jetë më vendimtari në shtyrjen e trenit elektoral të PD-së? Hamendja është e lehtë për t’u bërë në këtë rast. Sidoqoftë, le të mos mbetemi në fushën e hamendjeve – le t’u referohemi sondazheve.

Nga ekstrapolimi i një sondazhi që zhvillova para disa muajve, më rezultonte se rreth 635 mijë votues me banim në Shqipëri kanë opinion pozitiv për Berishën. Ndërsa nga ekstrapolimi i sondazhit Italian Piepoli (i publikuar në një televizion në Tiranë para një muaji), rezultonte se rreth 590 mijë votues me banim në Shqipëri kanë opinion pozitiv për Berishën. Ndërkohë, siç u përmend më sipër, kuota aktuale e PD-së është 580 mijë dhe e Bashës vetëm 290 mijë.

Doni më për lokomotivën dhe vagonin real lëvizës të PD-së?….

Shënim i autorit: Sondazhet, me përkufizim, nuk janë instrumente preçize – ato kanë një marzh të vogël gabimi statistikor. Sidoqoftë, sondazhet politike shërbejnë për të krijuar një tablo të përafërt të prirjeve elektorale.