Opinion/Kongresi i vazhdimësisë

Opinion/Kongresi i vazhdimësisë

Nga ROLAND QAFOKU
Me këndimin e himnit kombëtar si të ishte këngë spektakli televiziv. Me ovacione që të këpusnin
shpirtin dhe me entuziasëm të mekur. Me folës që për sfond kishin socialistë si dikur Enveri
mbante kooperativistët e dalluar. Me ministrat e rinj që flisnin për punën e paraardhësve por jo të
tyre. Me shumicën e fjalimeve që dukshëm dalloheshin që i kishte shkruar e njëjta dorë dhe nuk ishte treguar kujdes për ta fshehur këtë. Me folës që edhe pse PS ka 6 vjet në pushtet përsërisnin refrenin “kemi shumë për të bërë”. Me median jashtë sallës për tu ngrohur në diell duke shënuar rekord në këto 29 vjet. Kongresi pa numër i Partisë Socialiste kishte vetëm një emërues: Ai ishte Kongresi i vazhdimësisë. I asaj vazhdimësie që tregon se ky pushtet është në kulmin e një
zhgënjimi total. I asaj vazhdimësie që ka zbehur totalisht frymën dhe është larg pritshmërive që kishte në vitin 2013. I asaj vazhdimësie që tregon se ky pushtet është në rënie në pikiatë. I asaj vazhdimësie që tregoi se Edi Rama është i rrethuar nga servilë, puthadorë dhe zbukurues situatash dhe që gjithnjë e më shumë e kanë çuar atë dhe vetë, qeverinë dhe Partinë Socialiste larg realitetit. I asaj vazhdimësie që rrethuesit i thonë Ramës ti je Dielli, ndërsa vetë ata janë yje
rreth tij dhe të tjerë akoma afër dhe larg rrotullohen po rreth tij dhe më pas nuk ka më. Ai ishte kongres i vazhdimësisë edhe për mënyrën se si Rama vijon të funksionojë edhe me krizën që po kalon vendi. Më shumë se sa basti për një bashki më shumë Edi Rama duhet të ishte dhënë një premtim socialistëve dhe të gjithë shqiptarëve se do zhvillonte zgjedhje pa blerje votash, pa
financime nga krimi dhe pa kandidatë që kanë probleme me drejtësinë. Por kongresi vijoi që gjithçka që Partia Socialiste ka bërë në këto gjashtë vite ta krahasonte me vitin 2013, ndërkohë që kur mori pushtetin premtimi i madh ishte se Shqipëria do rilindte si asnëjherë që nga qeverisja
e e parë e shtetit shqiptar të Ismail Qemal Vlorës. Për ta vërtetuar këtë mjafton të sjellim në mendje këto pasazhe të kryeministrit Rama më 12 shtator 2013 në një fjalim të tij në kuvend: “Viti 2013 që njësoj si viti 1992, do të shënohet në historinë e re politike të Shqipërisë, si viti i
votës popullore që siguroi kthesën e madhe demokratike të vendit tonë. Mes rrënimit të mëtejshëm dhe një rilindjeje shqiptare, 1 milion shqiptarë u bënë bashkë për Rilindjen”.
Kur lexon këto pas 6 vjetësh të vjen të qeshësh. Kongresi nuk e konfirmoi kurrë se me socialistët Shqipëria ka rilindur. Pas fjalimeve të sheqerosura, kulmi i këtij kongresi ishte deklarata
përmbyllëse. Në të u theksua me tam-tame se rritja ekonomike në Shqipëri ishte mbi 4 për qind; Se Shqipëria kishte arritur nivelin më të ulët të papunësisë me 12.3 për qind; se të ardhurat kishin shënuar rritje me 27 për qind; Se investimet e huaja kishin kapur shifrën mbi 1 miliardë dollar;
Se rritja e eksporteve ishte dy shifrore; Se edhe turizmi kishte rritje dy shifrore dhe se përgjatë vitit 2018 Shqipërinë e kanë vizituar 6 milionë vizitorë; dhe se 97 për qind e shqiptarëve kishin përfituar nga ulja e taksave. Pra me një fjalë, lum si ne që jetojmë në Shqipëri. Por këto shifra të sforcuara ishin mëse të pamjaftueshme. Në deklaratën finale të kongresit pa
emër u lanë shumë e shumë gjera të tjera pa u thënë. Nuk u tha në kongres se 300 mijë shqiptarë ikën në këto 6 vjet dhe pas Sirisë jemi vendi me emigrimi më të madh në Botë dhe se Shqipëria po i ngjan orës me rërë. Nuk u tha në Kongres që kanabisi i viti 2014-2016 ishte ekskluzivisht i
qeverisjes së Partisë Socialiste dhe tani sukses quhet se po kapet droga e magazinuar atë kohë por pa pranuar krimin më të madh që një qeveri ka bërë në tre dekada. Nuk u tha në këtë kongres që për frymë të popullsisë jemi konsumatorë më të mëdhenj të kokainës. Nuk u tha në këtë
kongres që në këto 6 vjet ushqimi që hamë është shumë më pa i sigurtë se më parë dhe se ish- ministri u Bujqësisë nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë për këtë. Nuk u tha në këtë kongres se nuk ka një investitor serioz i huaj që të ketë ardhur në Shqipëri. Nuk u tha në Kongres se në vitin
2018, sipas Transparency International, Shqipëria ka zbritur 8 vende më poshtë në luftën ndaj korrupsionit në krahasim me një vit më aprë. Nuk u tha në kongres se ishtye premtuar se do
shkarkohej çdo ministër që përflitej por në fakt edhe ndonjë shkarkim të bërë I thuhej opinionit se kanë shumë në detyrë dhe më pas i gradon si kryetarë komsionesh parlamenatyre apo ad hoc. Pas gjashtë vitesh në pushtet Partia Socialiste nuk kund të mburrert edhe për mënyrën e të bërit
politikë, shumë ndryshe nga ajo që kishte premtuar kur ishte në opozitë. Vendi është në një krizë të thellë politike dhe në Kongres mbahej vetja sikur jeta vazhdonte e qetë. Në kongres nuk u bë asnjë përpjekje seriopze për ta zgjidhur këtë krizë por me deklarata ekstreme opozita shpërfillej dhe se qeveria mund të vazhdonte edhe pa të. Shqipëria politike vërtetë ka zëvendësuar dy liderët e vjetër Fatos Nano dhe Sali Berisha, por i ka zëvendësuar ata me liderë edhe më sherrxhinj si
Edi Rama dhe Luzlim Basha. Politika e shpallur me frymë të re vazhdon të jetë konfliktuale dhe “unë jam I miri dhe ti I keqi” vazhdon të mbisundojë edhe pas tre dekadash.
Vetë Partia Sociaosite është e përfshirë nga lufta e klaneve. Me mungesë të theksuar të demoracisë, Partia Socialiste ka bërë hapa prapa dhe gara me një diferencë me 36 vota si ajo e
Pandeli Majkos dhe e Fatos Nanos në vitin 1999 për kreun e PS tashmë kujtohej si të ishin për një parti në Hënë ose në Mars. Këtë e tregoi edhe refuzimi që Fatos Nano i bëri ftesës së
kongresit. Ironia është se ish-kryetarin Nano që opinion e cilësoi si të dëmshëm për këtë parti dhe Shqipërinë, nuk pajtohet me këtë mungesë demokracie që ka kjo parti.
E vetmja pikë që ngriti entuziasmin e Partisë Sociaiste ishte Erion Veliaj dhe bashkia e tij e Tiranës. Nuk e teproj të them se Veliaj dhe mbështetësit e tij janë parti brenda Partisë Socialiste.
Dhe këtë e di shumë mirë edhe Edi Rama. Prej më shumë se një viti thashethemnaja e përhapur për pasiguri të Veliajt si kadidat nuk ishte e kotë. Ajo synonte uljen e e kuotave të tij sepse ai krijoi një pol të fortë brenda partisë. Por në vend që kjo të shihej si një garë brenda partisë është
parë si një bezdi. Qendrimi dhe mbështetja ndaj Veliajt vërtetë qetësoi shumë socialist, por ama ka lënë një shije të keqe në këtë parti përsa i përket konkurencës. Sot Partinë Socialiste në qeveri e përfaqësojnë as socialistët e as madje përfaqësues të Rilindjes. Një pjesë e ministrave nuk kanë qenë pjesë e strukturave dhe befas flasin për Partinë Socialiste. Për të mos thënë akom që të kuptosh situatën e kësaj partie shikoni se kush e mbron atë në studio televizivive. Janë servilë,
puthadorë, lëpirës pushtetesh dhe njerëz pa asnjë vlerë morale dhe karakteri që janë gati të japin edhe jetën për PS-në por që në fakt nuk janë ata PS-ja. Në studio mungojnë deputetët dhe
socialistët e vërtetë, pikërisht ata që e përfaqësoijnë këtë parti. Mungesa e tyre tregon situatën që ndodhet kjo parti dhe kjo u duk edhe në kongres. Në fakt kishte në fakt një lloj sinqeriteti në disa fjalime. Më shumë se një syresh përsëriti frazën
se ky është Kongresi i socialistëve dhe një folës tjetër sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Kanë shumë të drejtë. Jo vetëm pushteti por edhe rënia e tij është e Partisë Socialiste.
Kjo u duk qartë në këtë kongres pa numër. Ishte kongresi i vazhdimësisë.