O’Connell: Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës të jetë e mirë , por jo e shpejtë

O’Connell: Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës të jetë e mirë , por jo e shpejtë
Në Berlin më 29 prill do të takohen zyrtarë të lartë shtetëror të Kosovës dhe Serbisë, ku më së paku pritet krijimi i rrethanave për vazhdimin e dialogut, e më së tepërmi një datë për vazhdimin e tij
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë ftuar takimin në të cilin Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaci dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Të ftuar janë edhe presidenti serb  Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq derisa është paralajmëruar se një nga temat do të jetë edhe dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. Shpjegimi zyrtar i takimit është “shkëmbimi jo formal i ideve”.
Në lidhje me takimin mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë më 29 prill në Berlin, ambasadori britanik tha se është iniciativë shumë e rëndësishme për procesin e ndërmarrë nga ana e qeverive gjermane dhe franceze.
Ai u shpreh se nuk pret marrëveshje finale menjëherë, por se një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë këtij viti.
Sipas tij, me rëndësi është që marrëveshja të jetë e mirë, jo e shpejtë, e cila do të forcojë stabilitetin, të jetë në interes të të dyja palëve dhe të ketë përkrahjen e qytetarëve.
“Tash jemi në fazë kur në çdo takim pritet marrëveshje. Mendoj se duhet kohë për një proces të mirëfilltë dhe për të pasur pajtim nga të dy palët për një marrëveshje afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk po presim marrëveshje tash, por mendoj se është iniciativë shumë e rëndësishme e qeverive gjermane dhe franceze.
Shpresoj që ka mundësi, ka fokus ndërkombëtar, por çka do të ishte shumë e rëndësishme për ne, që marrëveshja të jetë e mirë, jo e shpejtë, të forcojë stabilitetin, të jetë në interes të të dyja palëve edhe të ketë përkrahjen e qytetarëve”, theksoi O’Connell./Ibna/