Një vit nga Marrëveshja e Prespës, ndarjet akoma evidente

Një vit nga Marrëveshja e Prespës, ndarjet akoma evidente

“Republika e Maqedonisë” apo “Republika e Maqedonisë së Veriut”, qytetarët janë të ndarë mes kësaj dileme me rastin e një vjetorit të firmosjes së Marrëveshjes së Prespës.

Shumica mendojnë se opsioni më i mirë është që vendi të ecë përpara dhe të sigurojë një të ardhme më të mirë. Kështu mendon edhe Violeta.S nga Shkupi, e cila nënvizon se “duhet më shumë përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare për vendin, dhe jo vetëm fjalë. U ndërrua emri, u prekën ndjenjat kombëtare, duke na premtuar se do të bëhet më mirë, por ende nuk po shohin gjëra konkrete”.

Edhe partitë politike kanë përplasje në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Prespës.

 “Kjo është marrëveshja më e suksesshme në historinë e vendit, e cila i hapi rrugën perspektivës Euro-Atlantike të shtetit. Maqedonia e Veriut nga një vend që kishte armiq gjithandej, u shndërrua në një vend i rrethuar me miq, ku edhe vet Greqia si vendet tjera është duke lobuar për vendin tonë”, thuhet në një deklaratë të partisë në pushtet SDSM (Lidhja Social Demokrate Maqedonase).

Nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE thonë se qytetarët e Maqedonisë u mashtruan nga pushteti aktual.

“Zaev vazhdon t’i gënjej qytetarët, ashtu siç i ka mashtruar se Kushtetuta e Maqedonisë në negociatat për emrin nuk do të preket. Njëjtë ka gënjyer se do të dorëhiqet nëse nuk arrin sukses në referendumin për ndryshimin e emrit.”, theksoi VMRO-DPMNE.

Për ndërrimin e emrit të shtetit, debate kundërthënëse ka edhe ndërmjet opinionistëve. Disa thonë se kompromisi ndërmjet Shkupit dhe Athinës ka qenë i domosdoshëm për të ecur përpara, ndërsa të tjerët thonë se qytetarët sakrifikuan identitetin duke iu premtuar integrim në NATO dhe BE.

Marrëveshja e Prespës e arritur më 17 Qershor 2018 ndërmjet Shkupit dhe Athinës, pas negociatave disa dekadash çoi në ndërrimin të emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut. /IBNA