Një fotografi rithken traumat e luftës në Kosovë

Një fotografi rithken traumat e luftës në Kosovë

 Postimi i një fotografie nga deputetja Flora Brovina ku fillimisht ajo pretendonte se ishin pamje të një përdhunimi nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, ka nxitur debate dhe protesta në Kosovë.

Zonja Brovina, e cila u mor në pyetje nga prokuroria e posaçme e Kosovës, tha se fotografia ishte me gjasë e falsifikuar. Ajo kërkoi falje, por reagimet nuk pushuan.

Grupe qytetarësh ju bashkuan të hënën një parakalimi të organizatave të shoqërisë civile në mbështetje të viktimave të përdhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtoresha e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, Feride Rushiti, tha se tërë kjo ka rikthyer traumat e luftës tek të mbijetuarat e përdhunimeve.

“Ne po vuajmë në heshtje e ju po na godisni me dhimbjen tonë. Duam drejtësi, por nuk duam që vuajtjet tona t’i shohin fëmijët tanë”,tha zonja Rushitaj.

Reagimet rreth fotografisë bënë që të dështojnë planet që parlamenti i Kosovës të themelojë një komision që do të drejtonte themelimin e një gjykate ndërkombëtare për siç është thënë, gjenocidin serb në Kosovë.

Lidhja Demokratike dhe lëvizja Vetëvendosje braktisën punimet e parlamentit me kërkesën për llogaridhënie nga ana e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli, lidhur me foton e publikuar nga deputetja Flora Brovina.

Opozita kritikoi kryetarin e parlamentin, edhe për siç thanë, tallje me viktimat e luftës, pasi që sipas tyre, gjykata ndërkombëtare krijohet vetëm nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli e cilësoi sërish si gabim të madh publikimin e fotos së falsifikuar, ndërsa i bëri thirrje opozitës që të përkrahë nismën por edhe ngritjen e një gjykate ndërkombëtare./Ibna/