Një e treta e vendeve anëtare kanë ratifikuar Protokollin për anëtarësim në NATO

Një e treta e vendeve anëtare kanë ratifikuar Protokollin për anëtarësim në NATO

 Njëmbëdhjetë vende anëtare të NATO-s e ratifikuan Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Dje për një ditë parlamentet e Polonisë dhe Sllovakisë e ratifikuan dokumentin me të cilin vendi edhe zyrtarisht do të bëhet anëtarja e 30-të fuqiplotë e Aleancës.

Ambasadori slloven në Shkup, Milan Jazbec ka nënvizuar se deri tani nuk ka ndodhur asnjë vend të ketë aq shumë ratifikime të Protokollit për inkuadrim në Aleancë për vetëm një muaj e gjysmë, siç ka ndodhur me vendin tonë.

“Ky është momenti më i mirë për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO sepse ky është vit simbolik, kur shënohet 70 vjetori i ekzistimit të Aleancës Veriatlantike”, tha ambasadori Jazbec.

Ratifikimin e Protokollit e paralajmëroi edhe sekretari shtetëror amerikan Mike Pompeo, i cili në gala mbrëmjen në Uashington me rastin e shënimit të 70 vjetorit të formimit të Aleancës Veriatlantike, tha se Departamenti i shtetit edhe zyrtarisht i dorëzoi Senatit të gjitha dokumentet e nevojshme për ratifikim të Protokollit për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

E para që e ka ratifikuar Protokollin ishte Greqia, më pas Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Rumania, Lituania dhe Danimarka dhe dje Polonia edhe Sllovakia.

Vendet anëtare të NATO-s më 6 shkurt e kanë nënshkruar Protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Pas ratifikimit të Protokollit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtare e plotfuqishme./IBNA