Nis përçarja e opozitës pas vendimit për të djegur mandatet parlamentare

Nis përçarja e opozitës pas vendimit për të djegur mandatet parlamentare

Në Shqipëri, opozita nisi të përçahet vetëm pak orë pas shpalljes së vendimit për dorëzimin në grup të mandateve të partive parlamentare që janë pjesë e Opozitës së Bashkuar.

Një ndër emrat kryesorë të opozitës, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, njoftoi sot se nuk ka ndër mend që ta lëshojë mandatin e deputetit.

Z.Koka tha se nuk e konsideron vendimin që shpalli kryetarja e LSI dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie për të dorëzuar mandatet e deputetëve dhe tha se nuk pranon ta djegë mandatin e tij.

“Nuk kam motiv të djeg mandatin, por do të qëndroj në LSI”, – ka thënë Koka duke detajuar.

“Lidhur me arsyet e paraqitura nga PD për djegien e mandateve të deputetëve të saj, nuk më duken arsye për të djegur mandatin tim. Vijoj të jem në krahë të subjektit politik që përfaqësoj dhe me çdo vendim që do të marrë, por vijoj t’i qëndroj besnik atyre që më kanë zgjedhur deri në këtë pikë”, – ka thënë Koka, ish-ministër në qeveritë e ish kryeministrit Sali Berisha dhe në kabinetin e Edi Ramës.

Sipas ligjit, vendimet politike nuk janë të vlefshme për dorëzim mandatesh në grup, por secili deputet duhet të lërë individualisht mandatin e tij.

Koka bëhet deputeti i parë nga opozita që refuzon vendimin e përbashkët të opozitës së bashkuar për të djegur mandatet me qëllim krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Lefter Koka, 55 vjeç, ka qenë katër vjet kryetar i bashkisë Durrës dhe më tej ministër i Mjedisit. /ibna/