
Ngërçi që ka përfshirë politikën vendase, pas lënies së mandateve nga deputetët opozitarë ka bërë që në Tiranë të “zbarkojë” një trupë e posaçme nga Parlamenti Evropian. Shtatë eurodeputetë kanë mbërritur dje dhe kanë filluar menjëherë takimet me autoritetet më të larta vendase. Mësohet se misioni i tyre është ai i realizimit të një dëgjese të të gjitha palëve, për t’u njohur kështu me të gjitha anët e situatës së pazakontë politike që është krijuar në Shqipëri. Sipas axhendës së tyre, eurodeputetët kanë takuar në fillim, kryetarët e opozitës së bashkuar, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhi. Më tej, edhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të vijuar në fund me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e deleguar të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj. Ndërsa sot, është planifikuar një takim i tyre me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe më pas, misioni i tyre do të përmbyllet me një dëgjesë të shoqërisë civile dhe një deklaratë zyrtare të gjithë asaj që vlerësojnë se po ndodh realisht në Shqipëri…
***
Nga ana e tij, Tune Kelam, kreu i delegacionit të PE-së dhe eurodeputeti i Partisë Popullore, u ka kërkuar qeverisë dhe opozitës shqiptare, që nëpërmjet dialogut të gjejnë zgjidhje për situatën politike. “Ne dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën dhe i kërkojmë opozitës që të riangazhohet me jetën parlamentare. Qeveria dhe opozita duhet ta kapërcejnë këtë situatë nëpërmjet dialogut konstruktiv”, është shprehur Tune Kelam.
Basha, pas takimit: Shqetësimi i tyre është stabiliteti
Në përfundim të takimit me delegacionin e Parlamentit Evropian, kryedemokrati Lulzim Basha tha se opozita nuk mund të jetë fasadë e qeverisë. “Shqetësimi i ndërkombëtarëve është stabiliteti, por Rama në emër të stabilitetit shkatërroi drejtësinë. Ai ka qasje anti-europiane dhe anti-NATO. Miqtë tanë që duan të mirën e Shqipërisë, hap pas hapi do ta kuptojnë se Rama e ka shkatërruar stabilitetin”, tha ai. Sipas tij, “Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë dhe mund të zgjidhet vetëm me një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira”. Duke përfunduar se detyra e opozitës është të shpjegojë realitetin që shqiptarët e vuajnë përditë. “Në këtë fazë ku ndodhet vendi, ku synon të hapen negociatat me BE-në, duhet të sqarojmë se Edi Rama me veprimet e tij ka shkatërruar stabilitetin e vendit”, shtoi ai.
Kryemadhi, pas takimit: Gjëra të bukura do vijnë për shqiptarët
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi dje pas takimit me eurodeputetët se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas dhe se rruga që po ndjek është e ajo e duhura. “Opozita nuk do të ketë asnjë hap pas. Shqiptarët janë mandatet tona më të pastra. Opozita është në rrugën e duhur. Gjëra të bukura do të vijnë për shqiptarët”, tha ajo.
QËNDRIMI
SHBA-të, të distancuara nga zhvillimet politike në vend
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe nga partnerët evropianë, duket se po qëndrojnë disi larg zhvillimeve të fundit në politikën shqiptare. Ndërkohë që Bashkimi Evropian po i intensifikon deklaratat dhe takimet e tij me palën shqiptare për të zgjidhur ngërçin e krijuar mes tyre pas djegies së mandateve të deputetëve opozitarë, SHBA-të për qëllime të paqarta duken të distancuara prej saj. Ato nuk po futen në bisedime me politikën shqiptare, siç po bëjnë në fakt zyrtarët e Bashkimit Evropian.