Nga presioni politik, PD-ja u rikthehet kërkesave ekonomike

Nga presioni politik, PD-ja u  rikthehet kërkesave ekonomike

Nga një presion i shtuar politik ndaj qeverisë, Partia Demokratike duket se u është rikthyer akuzave, por edhe kërkesave me natyrë ekonomike ndaj saj. Kështu, gjatë një takimi që kryetari i saj, Lulzim Basha zhvilloi dje në Korçë,

ai renditi mjaft problematika ekonomike me të cilat sipas tij përballet sot qytetari shqiptar. Për Bashën, situata kur shteti është kthyer në një skemë vjedhjeje nuk është më aspak e papranueshme. “Çdo vit bëhet më keq. Taksat janë rritur, çmimi i energjisë është rritur, çmimi i naftës është rritur. Njerëzit kanë më pak lekë për të blerë”,- u tha Basha qytetarëve. Duke i njohur më tej ata edhe me atë që e ka cilësuar si zgjidhjen më të mirë për vendin, platformën ekonomike të Partisë Demokratike.

“Hapat që ne kemi planifikuar për biznesin e vogël do të japin efekt të menjëhershëm: Ulja e çmimit të naftës me 300 lekë për litër. Ulja e çmimit të energjisë me 20%. Përjashtim nga TVSH-ja e biznesit me xhiro vjetore nën 140 milionë lekë. Një taksë e vetme prej 0.5% e xhiros vjetore”, u shpreh kryetari Basha. Duke kërkuar mbështetjen e korçarëve për të larguar atë që sipas tij pengon ngritjen e ekonomisë për çdo familje. Në këtë kuadër, ai u kërkoi atyre që t’i bashkohen protestës së 16 marsit, duke i dhënë një shans sipas tij, ndryshimit dhe Shqipërisë si gjithë Europa.

“Për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie, – tha Basha, – ju ftoj të jeni të gjithë në Tiranë më 16 mars. Këta nuk përfaqësojnë njerëzit, por vetëm kriminelët dhe oligarkët. Shqipëria si gjithë Europa na thërret në shesh dhe unë ju ftoj të gjithëve në një takim me historinë. Dhe këtë betejë ne do ta vazhdojmë deri në fitore”, deklaroi kryedemokrati.