Nëse nuk arrihet cenzusi në zgjedhjet presidenciale, kërkohet që presidenti të zgjidhet në Kuvend

Nëse nuk arrihet cenzusi në zgjedhjet presidenciale, kërkohet që presidenti të zgjidhet në Kuvend

Në qarqet politike dhe debatet e analistëve në Shkup po diskutohet edhe për mundësinë e dështimit të zgjedhjeve, në rast se nuk arrihet cenzusi prej 40 % të votuesve për të dal në zgjedhje. Sipas tyre, nëse do të ndodhë kjo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja presidenciale në pako me ato të parakohshme parlamentare që po kërkohen nga opozita.

Por, nëse nuk arrihet cenzusi i nevojshëm për zgjedhje të presidentit në zgjedhjet e ardhshme, ekzistojnë dy mundësi – shefi i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët pa shumicë të nevojshme në rrethin e dytë apo të zgjidhet në Kuvend. Këto alternativa i paralajmëruar ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, e pyetur nëse po mendohet për ndryshim të Kushtetutës në pjesën e zgjedhjes së presidentit nëse nuk arrihet dalja e nevojshme në zgjedhje që duhet të mbahen më 21 prill dhe 5 maj.

“Ndryshimi i Kushtetutës me qëllim që të lehtësohet procesi i zgjedhjes së presidentit është diçka që tashmë është rekomanduar edhe nga OSBE-ja, përkatësisht ODIHR-ja. Ka dy opsione, njëri është që presidenti të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta pa shumicë të nevojshme të daljes në rrethin e dytë. Opsioni i dytë është zgjedhja e presidentit në Kuvend”, deklaroi Deskoska.

Sipas vendimit të tanishëm në Kushtetutë, në mënyrë që të zgjidhet presidenti në rreth të parë të zgjedhjeve, është e domosdoshme për të të votojnë shumica e të gjithë votuesve të regjistruar – 1.808.131, përkatësisht së paku 904.066 qytetarë me të drejtë vote.

Nëse në rrethin e parë nuk e merr shumicën e nevojshme, në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatë që kanë fituar më së shumti vota në rreth të parë. President do të zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicën e votave, nëse në vendvotime kanë dalë mbi 40 për qind të votuesve të regjistruar, përkatësisht 723.253 votues.

Nëse edhe në rreth të dytë asnjëri nga dy kandidatët nuk merr numër të nevojshëm të votave, e tërë procedura do të përsëritet. Liderët e partive kryesore mbështesin zgjedhjen e presidentit përmes Kuvendit.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se është ithtar i idesë që presidenti të zgjidhet përmes Kuvendit.  Edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se para shumë viteve kishin propozuar një opsion të tillë që i pari i shtetit të zgjidhet përmes Kuvendit. Por për tu arritur kjo duhet shumica absolute apo 80 nga 120 deputetë./IBNA