Në tetor a do të ketë datë për Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedimeve?

Në tetor a do të ketë datë për Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedimeve?

Kryeministri Zoran Zaev është i bindur se në tetor Maqedonia e Veriut do të marrë datë për nisjen e negociatave për antarësim në BE dhe në fund të vitit do t’i hapë kapitujt 23 dhe 24 të reformave.  Ai ka nënvizuar këtë i pyetur lidhur me skepticizimin e Francës për zgjerimin e mëtejmë të BE-së.

“Maqedonia e Veriut nuk kërkon që menjëherë të bëhet anëtare e BE-së. Neve na duhet motivim adekuat, apo hap i radhës që është marrja e datës për nisjen e negociatave për antarësim. Unë jam i bindur se në tetor do të marrim datë për nisjen e negociatave… do të bisedojmë për të gjithë kapitujt, ndërsa deri afërsisht në vitin 2025 ne kemi kohë për pritje dhe reforma të BE-së”, theksoi Zaev.

Ai tha se Evropa nuk ka ardhmëri pa anëtarë të rinj dhe se këtë fakt e kanë të qartë edhe shtetet anëtare të BE-së.

Lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski mbrëmë deklaroi për Alfat TV se vendi nuk mori datën për shkak të punës së pamjaftueshme në planin e reformave.

“Nuk kemi reformat e mjaftueshme. Ato janë shumë bukur të shkruara në letër, por implementimi ka ngecur. Zaev i nënçmuar nga mentori i tij Edi Rama, bashkuan Maqedoninë me Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Jemi viktima të këtij procesi dhe nuk do të marrim datë për fillimin e bisedimeve me BE-në”, theksoi Mickoski.

Debatet se a do të ketë datë në tetor janë temë kryesore e zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, atëherë palët politike janë dakorduar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme./IBNA