Ndryshimet në Qeverinë e Zaevit nxisin debate dhe reagime politike

Ndryshimet në Qeverinë e  Zaevit nxisin debate dhe reagime politike

Kryeministri Zoran Zaev ka bërë ndryshimet qeveritare dhe se nesër në Kuvend pritet votimi i tyre. Ai ka ndërruar gjashtë ministra, ndërsa ka shtuar përgjegjësitë e tij duke marrë drejtimin edhe të Ministrisë së Financave.

Por këto ndryshime qeveritare kanë nxitur debate dhe reagime.     

“Pritjet ishin të mëdha dhe se ministrat më të kritikuar dhe me më pak rezultate do të ndërroheshin, por kjo nuk ndodhi dhe nuk kemi ndërrim të asnjë ministri që ishte në shënjestër të kritikës”, theksoi analisti politik Saso Klekovski. Sipas tij, Qeverisë së Zaevit i nevojitet një reformim i thellë.

Analisti politik, Naser Ziberi vlerëson se ndryshimet nuk do të sjellin rezultat për faktin që periudha deri në përfundimin e mandatit të kësaj Qeverie është e shkurtër.

Sipas tij, është i gabuar veprimi i Zaev që përpos postit të kryeministrit të ushtrojë edhe detyrën e ministrit të financave.

Një pjesë e analistëve politik kanë  thënë se Zaev nuk largoi asnjë nga ministrat e BDI-së, edhe pse ata kanë treguar rezultate më të dobëta gjatë qeverisjes dyvjeçare.  Kuvendi nesër pritet të votojë kabinetin e ndryshuar qeveritar, ndërsa për këtë duhet të votojnë 61 nga 120 deputetë. /IBNA