Ndihma e Rusisë për modernizimin e ushtrisë serbe e rrezikon sigurinë në rajon

Ndihma e Rusisë për modernizimin e ushtrisë serbe e rrezikon sigurinë në rajon
Në Serbi ka arritur kontigjenti i parë i ndihmave ushtarake nga Moska me tanke dhe mjete të blinduara, të cilat Rumania nuk i lejoi javën e kaluar të kalonin tranzit në territorin e saj për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës.
Presidenti serb Aleksander Vuçiç falenderoi sot homologun rus Vladimir Putrin për modernizimin e ushtrisë së vendit të tij, por nuk pranoi të tregonte se si kishin mbërritur pajisjet ushtarake.
Ndihmat ushtarake nga Rusia për Serbinë kanë shkaktuar shqetësime në Kosovë se mund të rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan.
Zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Burim Ramadani thotë se ndihma e Rusisë për modernizimin e ushtrisë serbe e rrezikon sigurinë në rajon.
“Orientimi dhe armatosja e Serbisë me pajisje ruse (edhe pse në këto lëvizje aferat korruptive janë enorme) ka për synim rrezikimin e gjithë Ballkanit, ndërsa paraqet hakmarrjen ruse e serbe ndaj NATO-s dhe demokracive të botës”, është shprehur Ramadani.
Ai ka thënë se duhet të jetë e qartë se paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO dhe asnjë shtet në Ballkan nuk shërben si Rusi e Vogël.
“Prezenca dhe zgjerimi i NATO-s me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar paqen dhe sigurinë rajonale. Unë besoj në politikën e zgjerimit të NATO-s, sipas Nenit të 10-të të Paktit Veri-Atlantik. Kështu, Kosova mund të jetë shteti i 31-të i NATO-s. Anëarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë rajonale”, ka thënë ai.
Serbia ka marrë tashmë 6 aeroplanë luftarakë MiG-29 nga Rusia dhe ndonëse pretendon të jetë ushtarakisht neutrale, po negociaon blerje të tjera armësh nga Moska, përfshirë heikopterë luftarakë dhe transporti si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore./Ibna/