Ndërtimet e dobëta rrezikojnë Kosovën, një punëtor humb jetën në Mitrovicë

Ndërtimet  e dobëta rrezikojnë Kosovën, një punëtor humb jetën në Mitrovicë
Në pesëmbëshjër vitet e fundit në Kosovë janë ndërtuar një numër i madh i objekteve të mëdha afariste dhe ndërtesa për banim pa leje dhe me standarde të ulëta dhe cilësi të dobët.
Pasojat e këtyre objekteve janë parë të hënën në mbrëmje kur në Mitrovicë është shembur Hoteli Adriatik në Mitrovicë, i cili po rinovohej.
Nën rrënojat e tij kishte mbetur V.B 27 vjeçar punëtor nga Mitrovica, i cili pas gjashtë orëve u gjetë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) pa shenja jete.
Sipas policisë dhe Komunës së Mitrovicës dyshohet se shkaku i shembjes ishte renovimi që po bëhej në këtë hotel, për të cilat punime nuk ishte marrë leje.
Policia e Kosovës ka ndaluar për 48 orë punëdhënësit dhe punëkryerësin të cilët pritet të japin përgjegjësi para organeve komptente.
Përpos këtij objekti, mbrëmë rreth orë 21:00 është shembur një pllakë e një ndërtese që është duke u ndërtuar në Fushë Kosovë.
Sipas forcave të rendit, në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore.
“Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona te lënduar. Lidhur me këtë ngjarje janë njoftuar institucionet kompetent”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për rastet e shembjes së objekteve.
“I shqetësuar me rastet e sotme të shembjes së ndërtesave në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë, të cilat kanë rrezikuar drejtpërdrejt jetën e punëtorëve dhe qyetarëve përreth. Këto dy raste, me të drejt nxisin reagimet e gjithsecilit për mënyren dhe kushtet e punës në industrinë e ndërtimit dhe më shumë për përgjegjësinë e Komunave në dhënien e lejeve dhe Inspektoratit në kontrollimin e punimeve.
Të gjithë mekanizmat e përfshirë në këtë sektor duhet të ndërmarrin masa emergjente në përmirësimin e kushteve dhe mënyren e punës”, është shprehur Haradinaj.
Komuniteti  i arkitektëve është i shqetësuar për mënyrën e ndërtimit që është bërë në Kosovë në 17 vitet e fundit.
Ata janë shprehur të shqetësuar në lidhje me stabilitetin e ndërtesave të larta dhe sigurinë e tyre sa i përket fushës së inxhinierisë së ndërtimit.
Që nga viti 2004, Kosova ka Ligjin për Ndërtim, me të cilin përcaktohen rregullat e ndërtimit të të gjitha objekteve ndërtimore në Kosovë dhe në bazë të tij një objekt ndërtimi duhet t’i plotësojë kriteret minimale për mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme.
Ligji, sipas ekspertëve të inxhinierisë ndërtimore, në të shumtën e rasteve mund të mos jetë përfillur për faktin se ndërtuesit mund të kenë ulur koston e ndërtimit, duke reduktuar materialet që futen në ndërtim./Ibna/