Ndërkombëtarët, në një zë: Mos pengoni demokracinë!

Ndërkombëtarët, në një zë:  Mos pengoni demokracinë!

Arena e politikës ndërkombëtare vazhdon t’i mbajë “sytë” nga zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Edhe ditën e djeshme, përfaqësues të rëndësishëm të saj i drejtuan apel opozitës vendase për të mos i djegur mandatet dhe të mos i përmbahet dhunës. Kështu, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka komunikuar lajmin se vetë zv/ndihmës-Sekretari i Shtetit për Evropën, Mattheu Palmer ka zhvilluar dy biseda të veçanta telefonike me dy drejtuesit e opozitës shqiptare, Basha dhe Kryemadhi. Sipas tij, zyrtari i lartë amerikan u ka kërkuar atyre që të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike. Por ka theksuar edhe rolin jetik, që partitë e opozitës duhet të luajnë në një shoqëri demokratike. Madje, ka shtuar edhe faktin se Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive opozitare kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti. Këtë e argumentoi me faktin se kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma, por edhe një institucion të rëndësishëm të demokracisë, siç është parlamenti. Por, duket se vendimi i opozitës shqiptare për të dorëzuar mandatet nga Parlamenti ka shkaktuar mjaft shqetësim edhe në Bruksel. Këtë e dëshmoi qartë edhe deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës (KiE), Thorbjorn Jagland, i cili u kërkoi deputetëve që të mos largohen nga Parlamenti. “Në një demokraci, – theksoi ai, – legjislatura është instanca e parë ku çështjet politike, që prekin të gjithë vendin, duhet të diskutohen, e ku për to duhen kërkuar zgjidhjet”. Sipas tij, “opozita shqiptare nuk duhet ta braktisë Parlamentin” dhe i mëshoi idesë se “e drejta për grumbullime e për demonstrata duhet ushtruar paqësisht”.

Bashkimi Evropian

Hahn dhe Mogherini: Dënojmë dhunën,

veprimi i opozitës pengon demokracinë

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogerini dhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn dolën dje me një deklaratë të përbashkët, lidhur me protestën e djeshme të opozitës dhe zhvillimet në politikën shqiptare. “Duke pasur parasysh protestat në Shqipëri sot, ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore si një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e demokracisë, por ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bëjnë thirrje për dhunë”, thuhej në deklaratën e tyre.