Mosbindje civile, opozita bllokon 12 akse kombëtare

Mosbindje civile, opozita bllokon 12 akse kombëtare

E përqendruar në 12 akse kyçe kombëtare rrugore, opozita e bashkuar ka protestuar mbrëmjen e djeshme për mëse dy orë rresht. Një inicim ky i asaj që ajo e quan mosbindje civile dhe që pritet të intensifikohet gjatë ditëve në vijim, në pritje të protestës së madhe të parashikuar para godinës së Kryeministrisë më 11 maj. Në ndryshim nga një javë më parë, protestuesit dje kanë qëndruar në rrugë për dy orë me radhë. Kjo është hera e dytë që opozita proteston në këtë formë që prej lënies së mandateve të deputetëve të saj…

***

Incidentet nëpër rrethe

Në Fier, protestuesit janë përplasur me forcat e policisë, ku kanë çarë kordonin për të shkuar aty ku e kishin planifikuar protestën. Ky incident ka zgjatur pak minuta, teksa më pas tubuesit janë zhvendosur në vendin e protestës. Ndërkohë, në Berat janë djegur edhe goma në rrugë, shoqëruar me thirrjet “Rama ik”. Teksa një protestues është ndjerë keq në Shkodër dhe është dashur ndërhyrja e ambulancës për ta transportuar në spital. Kurse në Tiranë, protestuesit kanë ndezur një zjarr në kantierin e Unazës së Re. Më tej, në Lezhë, mjaft mbështetës të opozitës kanë bllokuar mbikalimin e Milotit, aty ku një javë më parë ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha. Protestuesit kanë bërë thirrje kundër kryeministrit dhe qeverisë. Por policia iu ka bërë thirrje të shpërndahen pasi protesta sipas tyre është e paligjshme.

Salianji: Rama do përballet me ligjin

“Qeveria tranzitore, sa më shumë të vonohet do të ketë kosto më të madhe për kryeministrin Edi Rama, që do të përballet me forcën e ligjit”. Kështu është shprehur dje ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji nga Korça ku ka drejtuar protestën e opozitës. Sipas tij, Rama do të përballet si të gjithë diktatorët e tjerë, jo vetëm për korrupsionin, por edhe për kostot që po i jep Shqipërisë në këto vite.

Paloka: Opozita do vazhdojë të protestojë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka tha dje se opozita do vazhdojë të protestojë nëse Rama nuk tërhiqet. “Kryeministri duhet të tërhiqet sa më parë. Të plotësojë atë kërkesë që sot nuk është vetëm e opozitës, por e gjithë qytetarëve shqiptarë për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Për bllokimin e rrugëve u them shqiptarëve që të na mirëkuptojnë”, tha ai. Duke shtuar se opozita do të vazhdojë të protestojë dhe do të kërkojë ndryshim, “sepse ajo që na pret është shumë më e keqe, sesa qëndrimi dy orë në rrugë. Këto janë sakrifica të vogla që i kërkohen qytetarëve. Nëse Rama do të vazhdojë me arrogancë, qytetarët na kërkojnë me përshkallëzim të situatës. Pas dyerve të burgut do të jetë Rama”, deklaroi gjithashtu Paloka.

Bardhi: Do rikthehet protesta para Kryeministrisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, teksa ka folur dje nga rrethrrotullimi i Doganës, ka thënë se protesta e opozitës nuk do të ndalen me kaq. Sipas tij, do të rikthehen edhe protestat para Kryeministrisë më 11 maj në orën 18:00. “Protesta e ardhshme para Kryeministrisë do të jetë më e madhe se ajo e 16 shkurtit dhe e 16 marsit, por edhe më e madhe se ajo e 13 prillit. Sikundër do të ketë edhe protesta rajonale nga qytetarë, fermerë dhe çdo shtresë”, ka deklaruar Bardhi.