Mogherini: Nuk do të ketë bisedime pa u hequr tarifat ndaj Serbisë

Mogherini: Nuk do të ketë bisedime pa u hequr tarifat ndaj Serbisë

Shefja e politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të hënën se nuk do të thërras raund të ri bisedimesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit derisa autoritetet në Kosovë nuk i heqin apo pezullojnë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ajo i bëri këto komente në Bruksel gjatë një konference për gazetarë, gjatë së cilës tha se është e gatshme që të mbyllet me javë apo muaj për të arritur një marrëveshje ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

“Në momentin që krijohen kushtet, jo vetëm që jam e gatshme që mëngjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një apo tre muaj”, tha ajo.

Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha të hënën gjatë një vizite në vendlindjen e tij në Gllogjan në Kosovën perënidmdore se tarifat nuk do të hiqen.

“Shpresoj më dëgjuat shumë mirë, po e shihni ku kam ardhur për ta thënë. Sa jam unë kryetar qeverie taksa nuk hiqet”,tha kryeministri Haradinaj

Kryeministri Haradinaj tha se çdo marrëveshje e mundshme me Serbinë nuk mund të prekë kufijtë.

Marrëdhëniet ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe partnerëve të koalicionit qeverisës vazhdojnë të jenë acaruara për shkak të mendimeve të ndryshme lidhur me tarifat ndaj Serbisë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka theksuar se qeveria mund të bie nëse rrezikohen marrëdhëniet me SHBA-të, të cilat kanë kërkuar pezullimin e taksës dhe vazhdimin e dialogut.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar një qeveri të gjerë ose zgjedhje të lira parlamentare.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka theksuar se koalicioni qeverisës në Prishtinë nuk ka legjitimitet  dhe as fuqi politike për të vazhduar dialogun me Serbinë.

Agjencia e lajmeve Ibna mëson se gjatë kësaj jave pritet të ketë carje në koalicionin qeverisë në Prishtinë. Ibna mëson se PDK-ja pjesë e koalicionit qeverisës do të filloj bisedimet për riformatimin dhe zgjerimin e qeverisë me partinë opozitare LDK dhe subjekte tjera më të vogla.

Riformatimi i qeverisë do të rrezikoj postin e kryeministrit Haradinaj, ndërkaq alternativa tjetër mbetet shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare.