Miratohet draft-rezoluta për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Miratohet draft-rezoluta për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë
Në Kosovë komisioni ad-hoc i krijuar nga parlamenti për dënimin e krimeve të luftës nga forcat serbe, miratoi të martën një projekt rezolutë për dënimin e, sic thuhet, gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë.
Hartimi i projekt rezolutës është pjesë e përpjekjeve të autoriteteve në Kosovë për të miratuar dokumente që dënojnë krimet serbe por edhe ata që i mohojnë ato.
Deputetit të PDK-së Mërgim Lushtaku  tha senë projekt-rezolutë duhet të përfshihet edhe zhdukja biologjike.
“Këtu duhet të përfshihet edhe zhdukja biologjike, sepse ka pasur tendencë për zhdukje biologjike. Ne duam të dënojmë një akt makabër të shtetit serb. Nëse kemi të bëjmë mundësi të bëjmë një tribunal kjo është e mirëseardhur. Pajtohem me gjithë këtë dokument”, ka thënë Lushtaku.
Ndërsa Aida Dërguti e Partia Socialdemokrate propozoi që rezolutës t’i shtohet lista me masakra.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka shtuar se fokusi duhet të jetë të nxjerrja e rezolutës.
“Mendoj që kemi arritur të finalizimi i rëndësishëm i kësaj rezolute, duke e ruajt mandatin ad-hoc. Fokusi duhet të jetë të nxjerrja e rezolutës që i dënon krimet. Faktohet që së paku institucionet tona, Kuvendi konstaton që një shtet agresor ka kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë ai.
Krahas kësaj rezolute, Parlamenti i Kosovës ka nisur debatin për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi nuk do të mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon pa pranimin e fajësisë nga ana e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.
Ai ka thënë se Kosova ka marr të gjitha detyrimet mbi vete për të gjykuar krimet e luftës dhe se sipas tij e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me Serbinë./Ibna/