Mesiç kundër shteteve etnikisht të pastra në Ballkan

Mesiç kundër shteteve etnikisht të pastra në Ballkan
 Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, në një konferencë për siguri të organizuar të mërkurën në Prishtinë, ka folur për procesin e pajtimit dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë Bosnjën, pasi sipas tij në atë shtet nuk ka liderë të fortë të cilët janë të gatshëm të punojnë për mirëqenien e qytetarëve.
Kjo konferencë ishte organizuar për nder të 20 vjetorit të lirisë së Kosovës, duke thënë se rasti i Kosovës është unik, dhe ka treguar që askush nuk do të lejohet të ushtrojë dhunë ndaj një grupi të caktuar, duke shtuar se shqiptarët kanë qenë sistematikisht të diskriminuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i cili edhe për atë arsye përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte.
Ai gjithashtu ka shprehur qëndrimin e tij kundër krijimit të shteteve etnikisht të pastra, duke thënë se të gjithë komunitetet brenda shteteve duhet të jetojnë në harmoni, dhe se raporti i tyre me shtetin duhet stabilizuar.
 “Çdo grup etnik duhet të jetë i gatshëm të jetojë brenda komunitetit të tij në shtete të ndryshme. Shqiptarët të jetojnë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi. Kroatët, boshnjakët, serbët dhe popujt tjerë gjithashtu të jetojnë në komunitetin e tyre, por në shtete të ndryshme”, ka thënë Mesiç duke shtuar se një gjë e tillë jo vetëm që do të relaksonte raportet, por do të ishte edhe një çelës për paqe të qëndrueshme në përgjithësi për vendet e rajonit./Ibna/