MEDIA JONË MES BASHËS DHE RAMËS

MEDIA JONË MES BASHËS DHE RAMËS

Nga ROLAND QAFOKU

Pika kulmore e takimit të Lulzim Bashës me gazetarët ditën e shtunë ishte kur ai bëri disa vërejtje konkrete në adresë të gazetarëve. Me shqetësimin për një media më të mirë, më solli në mendje po atë merak që dikur e shfaqte presidenti i 44-t i SHBA-së, Barack Obama, kur pranoi publikisht: “Unë jam ai që media thotë si jam”. Por mënyra dhe forma për ta shprehur këtë nga Lulzim Basha ishte krejt ndryshe. Ndërsa foli për mungesën e theksuar të lirisë së medias dhe kapjen e saj nga qeveria, kreu i Partisë Demokratike tha:

“Problemi kryesor që në shohim në raport me median është pamundësia, apo paaftësia për të pasqyruar probleme të thella të shoqërisë, ekonomisë e politikës. Kjo i kthen gazetarët në kronikanë sipërfaqësorë, në vend që të luajnë rol të rëndësishëm siç është ai i hulumtimit. Duhet të denoncojë politika që ta japë media. Na akuzojnë se jemi bërë ne si media, për të plotësuar një boshllëk të lënë prej saj. Më shumë investigime ka bërë opozita se sa media”.

Ishte një lloj dushi i ftohtë që çdo gazetar profesionist mund ta ketë provuar të paktën një herë në karrierën e tij nga kryeredaktori, por jo nga një politikan. Ishte pothuajse një leksion falas që një gazetar jo vetëm i ri po e merrte prej tij.

Por a është normale që kreu i opozitës i bën vërejtje profesionale medias? Vërtetë PD është në opozitë dhe mes medias dhe opozitës ka një lloj interferimi, por mos të harrojmë se kjo opozitë përgatitet për të ardhur në pushtet, ndërsa media është dhe do jetë opozita e përhershme e pushtetit. Atëherë si mund të bëjë aleanca media me një forcë politike që nesër do jetë në pushtet.

Janë të paktën 5 çështje për të cilat kreu demokrat duhet të tregojë nëse do të sillet shumë ndryshe nga situata aktuale.

Së pari, Basha, përpara se të bënte vërejtje të punës së brendshme të gazetarëve duhet të tregonte që e ka seriozisht që kërkon të ndryshojë gjendjen në media. Basha duhet të tregojë gatishmërinë jo vetëm te formalizimi dhe te siguria e gazetarëve, por nëpërmjet deklaratave të hapura publike për çdo rast kur vartësit e tij do kenë probleme ai të jetë në krahun e gazetarëve.

Së dyti, Basha duhet të tregojë transparencë personale dhe të partisë që drejton. Ai e premtoi dhe shpresoj të ndodhë sepse ta themi hapur: Partia Demokratike ka funksionuar pak a shumë në modelin e Partisë Socialiste. Dërgimi në redaksi i kasetave, link-eve dhe transmetimi me regji qendrore e deri me materiale të përgatitura janë pjesë normale e aktiviteteve të tyre. I vetmi ndryshim që Basha dhe PD ka me Ramën dhe PS është stacioni i personalizuar ERTV.

Së treti, Basha duhet të tregojë se ka një platformë të qartë të raportit që do ketë PD dhe ai vetë me median në tërësi. Një platformë që realisht mungon por që është mëse e nevojshme. A do ketë ai gazetarë preferencialë ose jo. Dhe po aq e rëndësishme Basha duhet të ketë një zyrë të marrëdhënieve me median që të jetë e hapur, profesioniste e aspak selektive, por komunikuese dhe pa fodullëkun dhe arrogancën si të ishte në pushtet. Basha duhet të tregojë publikisht se kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe se ankesat e gazetarëve për zyrën e tij të shtypit duhet të shqyrtohen dhe jo të shpërfillen.

Së katërti, Basha duhet të tregojë se kur të jetë pushtet do të ketë sjelle të ndryshme nga ata që janë sot në raport me lajmet që publikohen. Të tregojë se kurrë nuk do të marrë në telefon pronarët  e gazetave, televizioneve dhe portaleve për t’u ankuar për lajmet e publikuara. Vetëm kështu ai tregon se është dhe sillet ndryshe nga pushteti.

Së pesti, Basha duhet të kuptojë se media nuk rregullohet nga politika. Nuk rregullohet as nga pushteti apo mazhoranca dhe as nga opozita. Media rregullohet me veten e vet. Misioni i saj është dhe do të jetë në opozitë me politikën dhe me pushtetin. Madje edhe me ata që kërkojnë të vijnë në pushtet.

Vetë Basha tha se mediat kanë vështirësi që të mbijetojnë në mënyrë të pavarur”. Por a na siguron ai që nuk do të ndodhë kështu kur të jetë në pushtet?