Mbahet në Tiranë Forumi i Ballkanit Perëndimor për Shoqërinë Civile

Mbahet në Tiranë Forumi i Ballkanit Perëndimor për Shoqërinë Civile

Edicioni i 7-të i Forumit të Ballkanit Perëndimor për Shoqërinë Civile, i cili u zhvillua në Tiranë, më 16 dhe 17 prill, përfundoi me një thirrje që Komisioni i ardhshëm ta mbajë politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor si një nga prioritetet e tij në interes si të rajonit ashtu dhe të BE-së.

Më shumë se 180 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja morën pjesë në veprimtarinë e organizuar nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Luca Jahier, President i KESE-së, vërejti në fjalën e tij të hapjes se: “Zgjerimi, dhe në veçanti përhapja e vlerave demokratike të BE-së dhe e standardeve ligjore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është në interes si të partnerëve tanë nga Ballkani Perëndimor ashtu dhe të BE-së”.

Zëvendësministri Sokol Dedja shtoi se “bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm bashkëpunim ndërqeveritar, por edhe midis shoqërive” dhe vlerësoi KESE-në për rolin e rëndësishëm që luan në rritjen e mbështetjes publike për zgjerimin e BE-së.

Drejtorja Angelina Eichhorst (Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian) theksoi se “OSHC-të janë çelësi për nxitjen e angazhimit më të fortë nga udhëheqësit politikë dhe shoqëritë drejt një ndryshimi në kulturën politike, për më shumë demokraci, transparencë dhe shtet të së drejtës, për më shumë ekonomi më të qëndrueshme”.

Sipas znj. Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, “qytetarët e Ballkanit Perëndimor besojnë se shoqëria civile është organi më funksional që mund t’i bëjë qeveritë përgjegjëse”.

Liria e shprehjes, tregtia dhe të rinjtë

Një nga shqetësimet kryesore të shprehura në Forumin ishte hapësira në zvogëlim për shoqërinë civile në një numër vendesh në rajon. Pjesëmarrësit theksuan në deklaratën përfundimtare se “liria e shprehjes dhe mediet e lira janë parakushte për krijimin e demokracive të forta” dhe dënuan sulmet kundër organizatave të shoqërisë civile (OSHC) nga përfaqësuesit e qeverive dhe mediet e financuara nga qeveria. U ra gjithashtu dakord që Këshillat Ekonomikë dhe Socialë kombëtarë duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në zbatimin e programeve ekonomike. Marrëveshja kolektive, si një mekanizëm kyç për krijimin e një sistemi pagash të drejtë dhe të qëndrueshëm, si dhe për të luftuar hendekun gjinor të pagave, u mbështet fuqimisht.

Çështjet tregtare u diskutuan gjithashtu nga pjesëmarrësit, të cilët këmbëngulën mbi nevojën për integrimin e mëtejshëm të ekonomive rajonale duke hequr të gjitha barrierat e pajustifikuara të vendosura mbi importin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe duke tërhequr investime private përmes një mjedisi biznesi më të favorshëm dhe më të parashikueshëm.

Për sa u përket politikave që lidhen me të rinjtë, deklarata përfundimtare i inkurajoi autoritetet e vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor që të investojnë “në mënyrë të konsiderueshme” në cilësi si një mënyrë për të ulur papunësinë e të rinjve, por gjithashtu edhe të garantojnë që të rinjtë të integrohen më mirë në Ballkanin Perëndimor, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të “zbutur tendencën e tyre për të emigruar