Materiale të përgjimeve në Maqedoninë e Veriut publikohen në rrjetet sociale

Materiale të përgjimeve në Maqedoninë e Veriut publikohen në rrjetet sociale

Materiale të bisedave të përgjuara të krerëve të partisë në pushtet BDI  (Bashkimi Demokratik për Integrim) kanë shpërthyer në rrjetet sociale.  Pesë vite më parë Zoran Zaev si lider i opozitës publikoi bisedat e përgjuara të zyrtarëve të Qeverisë së kaluar.  Por pas marrëveshjes politike, këto biseda u dorëzuan në Prokurorinë Speciale, e cila ishte formuar në vitin 2015 për hetimin e këtyre përgjimeve, ku tashmë po vijojnë procese gjyqësore për keqpërdorimet e qeverisjes së kaluar, ndër të cilët janë akuzuar ish-kryeministri Nikola Gruevski dhe bashkëpunëtorë të tij.

Por bombat e tanishme që thuhet se janë ato që i kishte poseduar Zaev tanimë po publikohen në rrjetet sociale nga një emigrant shqiptar që jeton në SHBA, Sheqeri Ahmeti, i njohur si  “El Cheka”. Ai ka thënë se përmes këtyre përgjimeve po nxjerrë në dritë të vërtetën e qeverisjes së keqe të partisë shqiptare BDI, e cila për gati 9 vite ishte në pushtet me VMRO-DPMNE.  Në bisedat e përgjuara protagonistë kryesor është lideri i partisë shqiptare, Ali Ahmeti, bashkë me ish-ministra të tij, ku bisedojnë për probleme dhe raste të ndryshme.

Prokuroria Speciale tha se bisedat që po i publikon  “El Cheka” në Facebook dheYoutube nuk kanë dalë prej tyre dhe se ato ruhen në vende shumë të sigurta me standarde të larta të sigurisë. Edhe kryeministri Zoran Zaev thotë se nuk ka njohuri se nga janë siguruar këto materiale që po i publikon emigranti nga SHBA-të.Ministria e brendshme dhe prokuroria po vazhdon hetimet për rastin, ndërsa ditëve të fundit janë bllokuar profilet e autorit të këtyre përgjimeve, megjithatë vazhdon publikimi me profile të tjera. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti tha se bëhet fjalë për biseda private të tij dhe se ato nuk kanë ndikim në subjektin e tij. Skandali me përgjimet u cilësua si një ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, që çoi në rrëzimin e Qeverisë së kaluar.  Këto përgjime ishin kryer nga struktura të shërbimit sekret të qeverisjes së kaluar.  /IBNA