Marrëveshja paqësore me Serbinë në fokusin e 11 vjetorit të pavarësisë

Marrëveshja paqësore me Serbinë në fokusin e 11 vjetorit të pavarësisë

Të dielën Kosovën shënoi 11 vjetorin e pavarësisë. Ndonëse ishte një ditë festive u pa një çarje në mes të koalicionit qeverisës në Prishtinë lidhur me procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli në seancën parlamentare solemne nuk e la pa e përmendur mundësinë e rrëzimit të qeverisë Haradinaj.

Veseli tha se, Qeveria do të mund të rrëzohej jo për shkak të tarifave dhe Serbisë, por nëse rrezikohet partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se parlamenti dhe qeveria duhet të qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta dhe interesave të miqve të Kosovës.

“Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e qeverisë, duhet t’i sigurojë qytetarët se si udhëheqës i koalicionit qeverisës nuk do të lejoj në asnjë moment që marrëdhëniet tona me Serbinë ta përcaktojë qëndrueshmërinë dhe fatin e institucioneve tona pra as të qeverisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës dhe as Serbisë, ky është qëndrim i vendosur. Qeveria dhe parlamenti mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës”, tha zoti Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendi është i gatshëm për një marrëveshje me Serbinë, por që nuk do të prek kufijtë.

“Jemi të interesuar për një marrëveshje, tani më të ditur dhe të quajtur obligative ligjore për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues dhe njëkohësisht jemi të interesuar për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha kryeministri Haradinaj.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga më shumë se 110 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Por, ky proces mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të vazhduar bisedimet pa heqjen e tarifave nga qeveria e Kosovës të vendosura pothuajse tre muaj më parë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se këtë vit duhet të merret një vendim tjetër strategjik për të ardhmen e vendit.

Ai theksoi se duhet të arrijmë marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse, me Serbinë, që siguron njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO dhe BE.

Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar edhe në urimet me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës se një marrëveshje me Serbinë duhet ta ketë në thelb, njohjen e ndërsjellë./Ibna/