Marrëveshja Kosovë-Serbi në agjendën e procesit të Berlinit

Marrëveshja Kosovë-Serbi në agjendën e procesit të Berlinit
Ka përfunduar Samiti i radhës i Procesit të Berlinit i mbajtur në Poznan të Polonisë.
Në këtë takim liderët evropian kanë konfirmuar unanimisht mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Temat kryesore të këtij takimi ku po merrnin pjesë kryeministrat e rajonit të Ballkanit dhe udhëheqës të shteteve anëtare të BE-së ishin ekonomia, inter-konektiviteti, marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimi dhe çështje të hapura bilaterale dhe siguria.
Njëkohësisht, pjesëmarrësit janë dakorduar që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të jenë nikoqir të Samitit të ardhshëm të procesit të Berlinit. Kjo do të jetë hera e parë që dy vende do të bashkëkryesojnë samitin.
Kryeministri, Ramush Haradinaj deklaroi se Vendimi, që samiti i ardhshëm të ketë nikoqir Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut e bënë edhe më domethënës procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
“Shpreh respekt të veçantë për Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për qëndrimin parimor ndaj Kosovës dhe të drejtës sonë për të qenë pjesë e familjes europiane. Kosova është pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe rreshtohet krah aleatëve si vlerë e shtuar e integrimit të rajonit në BE”, u shpreh Haradinaj.
Ai ka folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbinë.
“Njohja reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues, do të hapte perspektivën tonë. E përkrah fuqishëm vizionin e Kryeministrit Borissov për një Europë gjithpërfshirëse, që shkon përtej mendësive të shekullit të kaluar, mendësi që kanë krijuar tragjedi dhe përjashtime. Pa përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse të familjes europiane, BE nuk do të jetë e plotë”, ka theksuar Haradinaj.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se arritja e marrëveshjes me shqiptarët, do të ishte një arritje e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve.
Vuçiqi ka thënë se nuk do ta konsideronte humbje personale nëse gjatë mandatit të tij nuk do të zgjidhej çështja e Kosovës, por tha se “do të doja që të kemi paqe të qëndrueshme me shqiptarët”.
“Kjo do të ishte një arritje e rëndësishme për të ardhmen e Serbisë dhe do të ishte mirë për qytetarët tanë, por a është kjo reale apo jo, është çështje tjetër”, deklaroi Vuçiqi.
Kujtojmë që dialogu Kosovë-Serbi është stopuar pas taksës së vendosur për produktet serbe. Kryeministri Ramush Haradinaj me ngulm po e mban këtë vendin, përkundër presioneve ndërkombëtare./Ibna/