Maqedonia e Veriut pas NATO-s, synimi për në BE

Maqedonia e Veriut pas NATO-s, synimi për në BE

Maqedonia e Veriut po synon që pas NATO-s të përmbush detyrimet edhe për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Parandalimi i korrupsionit, reformat në gjyqësor, departizimi i administratës shtetëror dhe mobilizimi i shoqërisë civile janë disa nga kushtet që i kërkon Brukseli dhe i ka nënvizuar në raportet e tij. Megjithatë kryeministri Zoran Zaev është optimist.

“Qershori i këtij viti është vendimtar për vendet tona për çeljen e bisedimeve për antarësim në Bashkimin Europian” ka thënë kryeministri Zoran Zaev, para vizitës së nesërme në Bruksel, për të vlerësuar procesin dhe agjendën e eurointegrimeve.

Ambasadori evropian në Shkup, Samuel Zbogar ka përmendur nevojën e përmbushjes së detyrimeve.

“Pres dhe shpresoj që në qershor vendet anëtare do të miratojnë raport pozitiv që të mund Maqedonia e Veriut të filloj bisedime për anëtarësim në BE. Tani është e nevojshme të shohim reformat, të cilat i ndjekim dhe në qershor do të bëhet vlerësim dhe shpresoj se më pas do të fillojnë bisedimet”, theksoi Zbogar.

Por presidenti Gjorgje Ivanov tanimë po shihet si një pengesë pasi që nuk ka dekretuar ligjet reformatore të miratuara nga Kuvendi dhe që janë pjesë e pakos së ligjeve që i kërkon BE. Nga kabineti i Ivanovit janë arsyetuar se nuk dekretojnë ligjet, pasi që ato përmbajnë emërtimin Maqedonia e Veriut, që nuk njihet nga presidenti i vendit, mandati i të cilit i skadon edhe dy muaj. Njohësit e zhvillimeve në Shkup thonë se pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë dhe pas marrëveshjeve fqinjësore sic ajo me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka pozicionim më të mirë për të arritur qëllimin për të fituar datë të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. /IBNA