Maqedonia e Veriut a po shkon drejt krizës politike dhe zgjedhjeve

Maqedonia e Veriut a po shkon drejt krizës politike dhe zgjedhjeve

Analistët politik në Shkup thonë se vendi po shkon drejt krizës politike dhe se nuk përjashtohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.  Tensionet janë rritur pas skandalit për dyshimet e involvimit të kryeprokurores speciale Katica Janeva në shantazhin dhe zhvatjen e biznesmenëve të dyshuar nga Prokuroria Speciale. Kryeministri Zoran Zaev ftoi liderin e opozitës Hristijan Mickoski për zgjidhjen e fatit të Prokurorisë Speciale, por ky i fundit ka refuzuar një takim të tillë, duke kërkuar si kusht zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Analisti Goran Momirovski thotë se zgjidhja është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nuk mund të flitet për kod të ri zgjedhor, Prokurorinë Speciale dhe regjistrimin, pa pasur dialog serioz për zgjedhje të parakohshme”, theksoi Momirovski, duke propozuar takimet e liderëve të formatit të vitit 2015 në Przino të Shkupit, si mundësi për dalje nga kriza.

Edhe analisti politik Petar Arsovski thotë se vendi mund të hyjë në një krizë të re politike, nëse bllokoden reformat dhe ligji për regjistrimin e popullsisë. Sipas tij, palët politike duhet të gjejnë zgjidhje për të evituar krizën politike.

Analisti politik Ibrahim Mehmeti thotë se ardhja e eurokomisarit Johannes Hahn dhe zyrtarit të lartë amerikan Philip Reeker në Shkup tregon se vendi po rrëshqet drejt krizës dhe se misioni i diplomatëve të njohur është për të krijuar kushte për dialog politik dhe gjetjen e rrugëdaljeve.

“Tani që Maqedonia e Veriut ka hyrë në një krizë të re, pas shpërthimit të aferës më të re koruptive ku përfshihet dhe roli i Prokurorisë Speciale,  procesi i eurointegrimeve duket edhe më i zbehtë, andaj bisedimet ndërpartiake mund të paraqesin mundësi për debllokim”, thekson Ibrahim Mehmeti.

Në koluaret politike zgjedhjet janë paralajmëruar se do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, por afati i zgjedhjeve të rregullta parlamentare është dhjetori i 2020. /IBNA