Maqedonia e Veriut a po rrezikohet nga një fluks i ri emigrantësh?

Maqedonia e Veriut a po rrezikohet nga një fluks i ri emigrantësh?

Qindra emigrantë raportohet se po qëndrojnë në zonat kufitare greke afërsi të kufirit të Maqedonisë së Veriut. Autoritetet maqedonase thanë se lajmet e rreme kanë bërë që të ketë përqndrim të madh të emigrantëve dhe refugjatëve në afërsi të kufirit, të cilët synojnë që përmes Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë rutën e tyre drejt vendeve të BE-së.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut Radmila Sekerinska ka lajmëruar përforcimin me forca ushtarake të kufirit me Greqinë për shkak të fluksit të ri të refugjatëve nga shteti fqinj.

 “Jemi të përgatitur të përballemi edhe me rritje të presionit”, deklaroi dje Shekerinska gjatë një aktiviteti për NATO-n me të rinjtë në Shkup.

Sipas saj, Parlamenti ka marrë vendim që në gjendje urgjente krize të kemi në kufi forca ushtarake, madje edhe në periudha kur dukej se rreziku kishte kaluar. “Rreziku i shpërthimit të një krize të re refugjatësh në kufirin me Greqinë mund të krijohet përmes natës”, tha Shekerinska.

Sipas raporteve të mediave, qindra emigrantë dhe refugjatë nga vendet e krizës në Lindjen e Mesme po qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë një kampi në Diavata, 10 km në perëndim të Selanikut. Ata kanë mbërritur aty pas mesazheve të rreme në rrjetet sociale, që thoshin se do të hapej kufiri me Maqedoninë e Veriut në fshatin Eidomeni, e janë përpjekur të nisen për atje, por janë përplasur me policinë greke.

Gjatë fundjavës së kaluar situata është raportuar e qetë, ndërsa forca të mëdha të policisë janë stacionuar në të dyja anët e kufirit. 

Ministritë e Migrimit të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, i kanë bërë thirrje refugjatëve që të largohen nga zona kufitare sepse nuk mund të udhëtojnë drejt Perëndimit pasi kufijtë janë të mbyllur. /IBNA