
Ngritja e institucioneve të reja, që u krijuan në kuadrin e reformës në drejtësi duket se përbëjnë edhe sfidën më të madhe të gjithë gjyqtarëve apo prokurorëve, që duan të jenë pjesë e tyre.
Teksa kanë nisur të shfaqen edhe debatet e para, si ai për figurën e prokurorit Bujar Shoshi, tashmë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, tashmë i kthyer në një debat institucional.
Dhe kjo, pasi opozita e akuzon atë se e ka kaluar vetingun në kundërshtim me ligjin, pasi ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit. Akuzë kjo, rreth së cilës ka reaguar dje edhe vetë Komisioni i Monitorimit të Reformës në Drejtësi, sipas të cilit rasti në fjalë duhet verifikuar.
Ndërsa vetë prokuroria ka sqaruar se para emërimit të Shoshit, ka marrë mendimin e Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), i cili e ka nxjerrë atë si një figurë të pastër.
Ndërkaq, një institucion që pritet të marrë vëmendjen për emërimet e tij është edhe SPAK, e njohur si Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar.
Tashmë për të kanë aplikuar tre prokurorë, Anton Martini, Klodian Braho dhe Besnik Muçi.
Nga ana tjetër, edhe Gjykata Speciale, gjithashtu një organ i ri me objektiv luftimin e korrupsionit, pritet të ketë një garë të madhe brenda saj për emërimet e anëtarëve.
LISTA/ Institucionet e reja
Në kuadrin e vetingut
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
Kolegji i Apelimit, Komisionerët publikë
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit
Në kuadrin e drejtësisë
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Prokuroria e Posaçme
Byroja Kombëtare e Hetimit
Gjykata Speciale.