LSDM: Jo zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Mickoski reagon

LSDM: Jo zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Mickoski reagon

Partia në pushtet SDSM (Lidhja Social Demokrate) mbrëmë vendosi që vendi të shkoj vetëm në zgjedhje presidenciale duke u hedh poshtë kështu kërkesa e VMRO-së opozitare për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Zëdhënësi i kësaj partie, Kostadin Kostadinov deklaroi se vendit më shumë se kurë, tanimë që është edhe pjesë e NATO-s i nevojiten reforma për marrjen e datës për hapjen e negociatave, andaj zgjedhjet e parakohshme vetëmse do ta ngadalësonin këtë proces.

“Republikën e Maqedonisë së Veriut e presin zgjedhje presidenciale të lira dhe korrekte, zgjedhje ku do të fitoj LSDM-ja dhe do të humb VMRO-DPMNE-ja”, tha Kostadinov.

Sipas tij, kryeministri Zaev që të bisedoj me partnerët e koalicionit rreth mundësisë për gjetjen e një kandidati konsensual, me të cilin do të kandidonin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Por kundër këtij vendimi ka reaguar lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Sipas tij, SDSM i iku zgjedhjeve, por nuk do ti ikë vullnetit të popullit.

“SDSM është e frikësuar dhe në kaos. Shumë shpejt do të ballafaqohen me të vërtetën e dështimeve…Do të fitojmë në zgjedhje parlamentare dhe Maqedonia do të fitojë”, ka shkruar Mickoski.

Kundër zgjedhjeve të parakohshme janë shprehur edhe komuniteti i biznesit dhe bashkësia ndërkombëtare, duke kërkuar që të mos ngecet procesi i përmbylljes së reformave dhe anëtarësimit në NATO dhe BE./IBNA