Loja me kartën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Loja me kartën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Kryeministri Zoran Zaev ka lënë mundësinë e hapur për organizimin e shpejt të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por vetëm nëse do të pësojnë humbje në zgjedhjet presidenciale.

“Nëse kandidati ynë Stevo Pendarovski do të humb në zgjedhjet presidenciale nga kandidatja e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska, atëherë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, theksoi Zaev.

Opozita maqedonase kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale, mirëpo një kërkesë e tillë nuk u mbështet nga maxhoranca. Megjithatë, lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski thotë se Zaev duhet të mbajë fjalën, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Zaev të mbajë fjalën se nëse humb zgjedhjet presidenciale të shkojmë në ato të parakohshme parlamentare, të cilat do të zhvilloheshin gjatë vjeshtës. Zgjedhjet e reja janë një ardhmëri e re për vendin”, theksoi Mickoski.

Kjo temë do të jetë në qendër të debatit edhe në përballjen televizive të javës së ardhshme midis Zaevit dhe Mickoskit, në njërin nga televizionet publike.

Analistët druajnë se qytetarët mund të mos dalin në këto zgjedhje presidenciale dhe se vështirë do të arrihet censusi prej 40% që zgjedhjet të jenë të vlefshme. Në rast se nuk do të arrihet censusi atëherë pas gjashtë muajve do të ketë zgjedhje të reja presidenciale, ndërsa deri atëherë ushtrues detyre i postit të presidentit të vendit do të jetë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. /IBNA