Lista Serbe në takim me Vucicin për zgjedhjet në Veri të Kosovës

Lista Serbe në takim me Vucicin për zgjedhjet në Veri të Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli të hënën vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të banuara me shumicë serbe.
Zgjedhjet do të mbahen më 19 maj të këtij viti, por Lista Serbe në Kosovë nuk do të marrë pjesë në këtë garë pa konsultime paraprape me Beogradin Zyrtarë.
Zëvendëskryetari i Listës Serbe, Igor Simic, thotë se vendimin për të marrë pjesë ose jo në zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, do ta marrin pasi të konsultohen me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic.
“Edhe këtë herë do të kemi konsultime me presidentin Vucic, dhe do të marrim një vendim, që para se gjithash do të jetë në interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Simic.
Ndër të tjera ai ka thënë se Lista Serbe ka më shumë se 90 për qind të mbështetjes së serbëve që jetojnë në Kosovë, prandaj sipas tij duhet pasur përgjegjësi në vendimet që merren.
Ai këto zgjedhje përveç tjerash i ka cilësuar si një provokim nga pala kosovare.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka  bërë thirje që zgjedhjet në Veri të vendit të mbahen duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. /Ibna/