Lista Serbe fiton zgjedhjet në Veri të Kosovës

Lista Serbe fiton zgjedhjet në Veri të Kosovës

Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të dielën janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Në zgjedhje kanë dalë më shumë se 42 për qind e votuesve, kurse rezultatet e para i ka prezantuar koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), që ka vëzhguar procesin zgjedhor.

Sipas DnV-së, rezultatet preliminare për 85 për qind të vendvotimeve të numëruara, tregojnë se Lista Serbe ka fituar në katër komunat.

Lista Serbe ka marrë mbi 95 për qind të votave, ndërsa pjesa tjetër e votave ka shkuar për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, fitoren e tij e ka quajtur fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë në këto hapësira.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  e ka përshëndetur dhe falënderuar popullin serb për daljen masive në këto zgjedhje.

Sipas tij, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave vitale dhe nacionale, si dhe interesave më të rëndësishme të shtetit të Serbisë.
/Ibna/