Kuvendi për mandatin e Gruevskit, a do të sigurohen votat

Kuvendi për mandatin e Gruevskit, a do të sigurohen votat

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të enjten do të debatojë për ti marrë mandatin e deputetit Nikola Gruevskit, ish-kryeministrit të strehuar në Hungari.

Ai vazhdon të mbajë postin e deputetit, edhe  pas gjashtë muajve të arratisjes pasi që u dënua me 2,5 vite burg me akuzën për keqpërdorime gjatë kohës së qeverisjes së tij.

Megjithatë, akoma është e paqartë nëse shumica do të arrijë të sigurojë 80 votat e nevojshme që Gruevski të mos jetë më deputet, meqë tetë deputetët e ndarë të VMRO-DPMNE-së janë të pavendosur se si do të votojnë. Ata vazhdojnë të jenë të pakapshëm për mediat për të bërë të ditur qëndrimin e tyre. Partitë e koalicionit kanë bërë të qartë se do të votojnë për marrjen e mandatit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim, pa asnjë hamendje, do ta përkrahë marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit”, theksoi deputeti Artan Grubi.

Edhe nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE akoma nuk kanë qëndrim të prerë.

“Kur të vijë procedura në plenare do të shohim se çfarë do të bëjmë. Edhe unë personalisht, kur të vijë procedura, atëherë do të vendosim”, theksoi Dafina Stojanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski u arratis në nëntor të vitit të kaluar pas dënimit me burg prej dy vitesh për lëndën e Prokurorisë Speciale “Tanku” për blerjen e Mercedesit luksoz. Pasi fitoi të drejtën e azilit politik në Budapest, autoritetet hungareze deri tani nuk i janë përgjigjur kërkesës së Shkupit zyrtar për ekstradimin e tij. Nga janari, pas disa ndryshimeve ligjore, Gruevski nuk e merr më rrogën e deputetit.

Mandati i deputetit merret me shumicë prej dy të tretash, përkatësisht 80 nga 120 deputetë. /IBNA