Kthehen 110 kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri

Kthehen 110 kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri
Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se gjatë vikendit në Kosovë janë kthyer 110 kosovarë të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri.
Ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri të shtunën në një konferencë për shtyp tha se, se kthimi i kosovarëve nga Siria është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas ministrit Tahiri, gratë dhe fëmijët të cilët janë kthyer kanë qenë viktima të mashtrimit dhe keqtrajtimit.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj , ka bërë të ditur se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë.
“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Qalaj.
Ai theksoi se në zonën e konfliktit ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.
Të kthyerit nga Siria, orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë dërguar në qendrën për azil në fshatin Vranidoll, i cili gjendet në periferi të Prishtinës.
Forca të shumta policore, duke përfshirë njësitet speciale, janë duke mbajtur të rrethuar këtë qendër, ku po qëndrojnë gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria.
Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga frocat policore mbrëmjen e së premtes deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Ambasada e Shteteve të Bashkura në Prishtinë ka përshëndetur kthimin e qytetarëve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri, duke konsideruar se Kosova me këtë hap ka treguar shembull të rëndësishëm në botë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve nga Siria.
“Kthimi i mbi 100 shtetasve tanë nga Siria, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, u bë i mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona, të cilat bashkëpunuan ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve”, u shpreh presidenti kosovarë.
Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja mund të dënohet deri në 15 vjet burgim./Ibna