Kryetari i opozitës i jep ultimatum kryeministrit që të dorëhiqet

Kryetari i opozitës i jep ultimatum kryeministrit që të dorëhiqet

Opozita shqiptare ka paralajmëruar një demonstratë popullore për të shtunën 16 shkurt dhe sot, lideri Lulzim Basha lëshoi ultimatum publik që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.

Z.Basha, prej disa ditësh ndodhet në qytete të ndryshme të vendit, ku po zhvillon tubime në të cilat fton qytetarët që të marrin pjesë në protestën masive të së shtunës në qendër të Tiranës.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ka bërë apel Kryeministrit Rama nga Pogradeci, që të reflektojë deri në 15 shkurt. Në të kundërt tha ai, fjala do të jetë e qytetarëve, në protestën e 16 shkurtit në Tiranë.

“Më 16 shkurt do të bëjmë atë që bën çdo popull. Çdo popull në Europë i përzë hajdutët”, – tha z.Basha, duke shtuar: “Pushteti nuk është i atyre që janë në karrige me vota të vjedhura, por i qytetarëve shqiptarë”.

Sipas Bashës, kjo qeveri e ka çuar vendin në kushtet e një grushti shteti, ndaj reagimi qytetarë tha kreu demokrat, ka rëndësi jetike për vendin.

Basha prezantoi platformën e opozitës për daljen e vendit nga kriza ekonomike, duke vendosur prioritet anulimin e çdo kontrate korruptive të lidhur nga kjo qeveri me biznesin dhe kthimin të ardhurave tek qytetarët, pa sqaruar se si do të kthehen te qytetarët këto para. /ibna/