Kryeprokurorja Speciale flet pas skandalit të ndërlidhur me emrin e saj

Kryeprokurorja Speciale flet pas skandalit të ndërlidhur me emrin e saj

Pas heshtjes njëjavore, kryeprokurorja speciale Katica Janeva sot deklaroi se nuk ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe se nuk është e përfshirë në rastin e dyshuar “Zhvatja” që ka të bëjë me shantazhimin e të akuzuarëve të Prokurorisë speciale, ku bëhet fjalë për rastin e një biznesmeni të akuzuar, të cilit iu morën 1.5 milionë euro për ndërprerjen e një procesi të nisur hetimor.

Ajo tha se e kishte njohur të dyshuarin kryesor Bojan Jovanovski, që është pronar i televizioni 1TV në Shkup, dhe ku djali i saj punonte si përgjegjës marketingu.

“Me përgjegjësi e them se nuk e kam keqpërdorur pozitën time të cilën edhe për momentin e ushtroj. Ftoj institucionet që të hetojnë rastin deri në fund” theksoi Janeva.  Ajo tha se shumëkush ka keqpërdorur emrin e saj për qëllime të ndryshme.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE kërkoi arrestimin e Janevës, pasi që sipas kësaj partie ajo është e përfshirë në skandalin e shantazhit dhe zhvatjes së parave nga të akuzuarit e Prokurorisë Speciale. Por, kryeministri Zoran Zaev tha se hetimet duhet të zbardhin të vërtetën rreth mundësisë së involvimit të saj. Qeveria sot i dha dritë jeshile Ligjit të ri për Prokurorinë e Përgjithshme, ku në kuadër të saj pritet të përfshihet edhe Prokuroria Speciale. Kjo prokurori u formua në vitin 2015 për të hetuar përgjimet e ish-zyrtarëve të qeverisjes së kaluar, për veprime të ndryshme kriminale dhe antiligjore. /IBNA