Kryeministri shqiptar shprehet i shqetësuar se “vendi nuk ka një opozitë”

Kryeministri shqiptar shprehet i shqetësuar se “vendi nuk ka një opozitë”

Ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha po zhvillon tur takimesh në rrethe, ku kërkon që KM të dorëhiqet, paralelisht me të, ka nisur një tur takimesh në rrethe edhe kreu i qeverisë.

Edi Rama ishte në Lezhë, pak orë pas Bashës dhe foli me qytetarë për çështje të ndryshme ekonomike dhe sociale.

Rama, lëshoi alarmin, në mënyrë ironike, duke deklaruar se “ka një problem shumë të madh për ne sepse ne nuk kemi një opozitë që të na sfidojë”.

“Nuk kemi opozitë që na sfidon me ide, që na sfidon me argumente, që na sfidon me program, që është një alternativë që realisht ka një plan”, – vazhdoi Rama, duke shtuar:

“Kemi një opozitë që na sfidon me vezë. Një opozitë që vjen në Parlament për të treguar muskujt, për të treguar forcën, por çfarë jemi ne? Nuk jemi Federata e Mundjes”, – tha z.Rama.

Duke u ndalur në hallet që shqetësojnë qytetarët, z.Rama i bëri thirrje që të tregojnë çdo shqetësim të tyre në platformën e qeverisë shqiperiaqeduam.al.

Duke vazhduar talljen me kreun e opozitës, Rama e ftoi edhe atë që të shprehë hallet që ka, në këtë platformë, duke siguruar se “do marrë zgjidhje brenda 10 ditësh”.

Dhënia e këtij afati tallës, ishte si përgjigje e Ramës ndaj ultimatumit që lëshoi dje kryetari i opozitës që kryeministri të japë dorëheqjen deri në 15 shkurt, ndryshe më 16 shkurt do të vendosë populli në demonstratën që ka thirrur opozita. /ibna/