Kryeballisti Roshi: Ja kush është problemi i vërtetë i Edi Ramës

Kryeballisti Roshi: Ja kush është problemi i vërtetë i Edi Ramës

INTERVISTA/ Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi flet për zhvillimet e fundit politike në vend

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, thotë se qeveria e kryeministrit të majtë, Edi Rama, ka si problem kryesor në përballje zgjedhore, disa qindra mijë votues të djathtë të cilët mund të përmbysin rezultatin në disfavor të Partisë Socialiste.

Në një intervistë me IBNA, z.Roshi ndalet dhe te zhvillimet brenda kampit opozitar ku partia që ai drejton është pjesë e saj prej shumë vitesh. Roshi nuk ngurron të kritikojë ashpër PD-në duke e akuzuar se është përpjekur ta asgjësojë Ballin Kombëtar Demokrat si forcë politike e të djathtës së vërtetë.

Intervistoi Albert Zholi

Ndër zhvillimet e fundit në vend, më e rëndësishmja ishte ajo e ndryshimeve në qeveri. Si i shikoni ato?

Ndryshime kaq të thella në qeveri janë tregues i konsumimit të saj në shkallën më të lartë. Në këtë kulturë demokratike dhe eksperiencë të saj, z. Rama i sheh ndryshimet në qeverisë si hapin e duhur në drejtimin e duhur për zgjatjen e pushtetit. Vendi ynë ka vuajtur dhe po vuan për gati 80 vite rresht nga ideologjia e majtë (marksiste), mendësia e majtë, qeverisja e majtë dhe ende nuk ka shijuar një qeverisje të vërtetë të djathtë.

A mund të shihet si krizë intelektuale në PS, fakti që ministra u vunë emra të rinj e të panjohur në partinë kryesore të së majtës?

Problemi i z.Rama nuk është me ata që mendojnë si ai politikisht, por me kundërshtarët e tij politikë. Sipas sondazheve të bëra në 2010 janë rreth 800.000 votues të djathtë që kanë lidhje organike me njerëz që i persekutoi regjimi diktatorial, të cilët kanë votuar në partinë që është deklaruar e djathtë PD. Në zgjedhjet e fundit 400.000 nga këta nuk votuan PD sepse kanë humbur besimin, por këta janë kundërshtarët më të fortë të Ramës e PS-së. Këta janë problemi i vërtetë i Ramës dhe si duket ai këtu adresohet që të mos i bëjë agresivë. Sa do të funksionojë, kjo mbetet për t’u parë. Duhet parë dhe roli i opozitës drejtuese se deri ku do të arrijë të ridimensionohet.

Duke pasur parasysh të gjitha këto dhe vlerësimet e opozitës se qeveria është në krizë, a shihni ju hapësira për zgjedhje të parakohshme?

Kriza e qeverisë lidhet ngushtë me krizën ekonomike të vendit dhe në thelbin e vet këtë lloj krize reflekton. Ne sot kemi një qeveri që i merren këmbët si të një pijaneci kronik, por që mund të heqë dorë nga pushteti, aq sa mund të heqë dorë pijaneci nga alkooli. Sido që të jetë, presioni opozitar do të këmbëngulë për ta lodhur qeverinë derisa të dorëzohet.

Ndalemi pak te çështje brenda kampit opozitar ku ju bëni pjesë. Riorganizimi i PD a do të sjellë një frymë të re në kampin tuaj?

Mendoj se akoma PD mbetet tek gjërat mekanike dhe e sheh fuqinë mbi matematikën e mbledhjes së numërimit të votave në një kohë kur ajo nuk është e lirë dhe nuk e sheh fuqinë mbi idetë dhe historinë e ideve politike që sjellin frymë dhe një lumë votash përtej matematikës. PD mendon se të djathtën e vërtetë siç është Balli Kombëtar Demokrat e ka asgjësuar, duke ia tjetërsuar rezultatin dhe nëpërmjet tij duke i ulur kuotat e besimit të njerëzve. Duke qenë e majtë në mentalitet PD-së i pëlqen përcaktimi i fizikës kuantike se “energjia mund të mbetet e pandryshuar, por ndryshon formën e saj”. Ky konkluzion nuk përfillet në politikë. Unë kam bindjen se një realitet fals jashtë votës së lirë, jashtë kursit të ideve politike dhe jashtë historisë politike nuk mund të vazhdojë më, në mos i ka ardhur fundi.