Kriza politike pas mandateve të dorëzuara, 5 opsione që pritet të ndodhin

Kriza politike pas mandateve të dorëzuara, 5 opsione që pritet të ndodhin

(Marrëveshje Rama-Basha, dorëheqje e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme, krizë e tejzgjatur pa zgjidhje, zëvendësimi i opozitës dhe një Shqipëri në kaos. Këto janë pesë opsionet se ku mund të na çojnë pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës. Analisti i gazetës “Albanian Free Press”, Roland Qafoku, analizon nëpërmjet parashikimit atë që pritet të ndodhë”.

Nga ROLAND QAFOKU

Ka një përkufizim për Shqipërinë politike të këtyre 29 viteve postkomuniste që lidhet edhe me situatën aktuale: Nga kriza vimë, në krizë shkojmë. Megjithatë djegia e mandateve të deputetëve të opozitës është një veprim i padëgjuar, i pandodhur dhe i paprecedentë në të gjithë historinë e Shqipërisë madje edhe të Botës mbarë. Palët janë në ekstremitetet e tyre dhe Kushtetuta vetë nuk e ka parashikuar këtë sindromë, ndërsa vendi ynë ndodhet për të disatën herë në udhëkryq duke konfirmuar shprehjen e famshme të Ismail Kadaresë që Shqipëria i ngjan trupit që nuk i ikin ethet. Ndonëse ka ekstremitet veprimesh dhe qëndrimesh, ajo që vjen në mendje është zgjidhja e situatës dhe normalizimi i jetës politike. Po cila është kjo zgjidhje? A ekzistojnë zgjidhjet praktike dhe juridike dhe çfarë pritet të ndodhë? Janë të paktën pesë opsione politike që do ta risillnin sërish një normalitet politik por edhe mosagravim të situatës që shumë e kërkojnë por po aq shumë nuk punojnë për ta arritur atë. Por njëkohësisht mes tyre ekzistojnë fatkeqësisht edhe opsione që mund të çonin vendin në buzë të humnerës nëse nuk ndërhyhet me shpejtësi në mënyrë që palët të gjejnë një dakordësi për të eliminuar situatat e padëshirueshme.

MARRËVESHJE PS-PD

Nga të gjitha opsionet ajo që e zgjidh plotësisht, më mirë dhe që është më të pëlqyeshme për të gjithë është që mes palëve të realizohet një marrëveshjes mes dy forcave politike më saktë mes dy liderëve Edi Rama dhe Lulzim Basha. Por si mund të arrihet kjo marrëveshje? A mund të ketë një marrëveshje mes Bashës dhe Ramës, kur vetë Basha ka deklaruar dhe premtuar se kurrë nuk do të ketë një marrëveshje me Ramën dhe vetë Rama deklaron se unë nuk e lë pushtetin në tavolinë? Si mund të jetë kjo marrëveshje lidhur me zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare? Ndoshta kësaj pyetje mund ti përgjigjemi me një pyetje: Nëse administrata amerikane e merr seriozisht situatën në Shqipëri dhe dërgon një funksionar të saj për të bërë ndërmjetësin, a do te refuzojë kryetari i PD Lulzim Basha? Nuk besojmë që Basha do thotë jo dhe duket se ky është opsioni më i mundshëm që të ndodhë. Vetëm një problem ka ky opsion: Kur do të ndodhë? Sa për teknikalitetet kjo ka rëndësi sekondare.

DORËHEQJA E RAMËS, ZGJEDHJE TË PARAKOSHHME

Ky është opsioni që kënaq më shumë opozitën. Nëse Edi Rama do jepte dorëheqjen dhe do të shpalleshin zgjedhje të parakohshme, PD, LSI dhe partitë e tjera opozitare aleate do ta quanin fitore të madhe dhe do ti tregonin elektoratit se sa muskujt kishin, ndërsa vetë lideri Basha do të rriste maksimalisht kuotat si politikan. Kjo do t’i jepte bonus opozitës dhe në këto zgjedhje të reja do të ndjehej e avantazhuar madje fituese. Nga ana tjetër Rama mund ta bënte këtë për hir të Shqipërisë në mënyrë që të zgjidhte krizën duke sakrifikuar pushtet. Njëkohësisht ai futej në zgjedhje të reja me synimin e fitores dhe nëse e arrinte këtë ia mbyllte një herë e përgjithmonë shtegun e ankesave kundërshtarit. Por a mund të ndodhë kjo? A mund të ndërpresë Rama pushtetin kur i kanë dhënë 750 mijë vota? Opsioni i zgjedhjeve të parakohshme ka pak gjasa të ndodhë.

KRIZË E TEJZGJATUR

Një krizë pa fund është më e tmerrshme se sa një fund me krizë. Rrjedhimisht, një krizë e zgjatur politike do ishte opsioni më i keq i mundshëm i kësaj situate. Kjo do ta fuste Shqipërinë në kolaps për të cilin askush nuk mund ta parashikojë se në cilën shkallë do të ishte. Por sa është e mundur kriza e tejzgjatur? A do ta lejonte faktori ndërkombëtar një situatë të tillë? Për më tepër, a do ta lejonte SHBA që Shqipëria të ishte nën sundimin e një krize politike të tejzgjatur? Jo sepse SHBA do jenë edhe 100 vitet e tjera këtu.

ZËVENDËSIMI I OPOZITËS

Ky do ishte një lajm i keq për Partinë Demokratike dhe LSI, por një lajm edhe më i keq për demokracinë në Shqipëri. Por për disa dembelë dhe servilë në PS do ishte në lajm i rehatshëm. Jo vetëm kreu Rama por edhe gazetarë pranë mazhorancës kanë mbështetur disa herë idenë e zëvendësimin e opozitës dhe themelimin e partive të tjera politike. Nuk është çudi kjo por edhe si një opsion i mundshëm.

SITUATA KALON NË KAOS

Ky do ishte skenari i zi që asnjë nuk e dëshiron dhe asnjë nuk e mendon. Mund ta mendojnë kokat e nxehta që duan më shumë veten se Shqipërinë. Sido që të ndodhë, çfarëdo që të ndodhë, nëse Shqipëria shkon në kaos, fajtorë janë të dy palët pa asnjë mëdyshje. Asnjëri nuk është më i mirë se tjetri dhe fajtorë do të jenë përgjithnjë Edi Rama dhe Lulzim Basha.