Kosovë: Zyrtarët e lartë po u “shpëtojnë” ndëshkimeve për korrupsion

Kosovë: Zyrtarët e lartë po u “shpëtojnë” ndëshkimeve për korrupsion
Në dhjetor të vitit 2015 autoritetet e drejtësisë në Kosovë kishin vënë në shënjestër 51 raste me rreth 370 persona në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Por, sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, deri në muajin maj të këtij viti, janë zgjidhur vetëm 15 raste dhe asnjëri nuk përfshinë zyrtarë të profilit të lartë.
Rastet ndërlidheshin me kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe përparimit të saj në proceset integruese.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Drejtësisë në Kosovë thotë se sfida kryesore mbetet mos ndëshkimi i zyrtarëve të  profilit të lartë të përfshirë në rastet e korrupsionit dhe ndikimi i tyre mbi prokurorët dhe gjyqtarët.
“Sipas hulumtimeve tona kemi zero për qind të dënuar persona të profilit të lartë dhe kemi zero euro konfiskim të pasurisë të fituar për veprave penale. Me këtë mund të konkludojmë se institucionet e sistemit të drejtësisë nuk janë duke funksionuar fare në këtë drejtim”, thekson ai.
Medina Kadriu, hulumtuese në IKD, thotë se prej dhjetorit 2015 deri në qershor 2019, janë shënjestruar 51 raste, në të cilat janë përfshirë 372 persona.
“Edhe përkundër faktit se shënjestrimi i rasteve kishte për qëllim trajtimin e këtyre rasteve me prioritet, nga monitorimi dhe hulumtimi i IKD-së rezuton se në mbi 90% të rasteve të shënjestruara gjykatësit shkelin afatet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale”.
Sipas saj, joefikasiteti në trajtimin e këtyre lëndëve dëshmohet nga trajtimi i tyre prej dhjetorit 2015 deri në fund të muajit maj 2019,  në të cilën periudhë, rezulton se vetëm 39% e rasteve apo 15 lëndë kanë përfunduar me aktgjykim përfundimtar, ndërsa 61% apo 23 lëndë të tjera janë akoma në proces në shkallë të ndryshme gjyqësore.
Analistët në Prishtinë vlerësojnë se moslufitimi i korrupsionit mund të dëmtoj procesin e liberalizimit të viziave dhe në përgjithësi anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Korrupsioni i nivelit të lartë në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë dhe fenomen që po shkatërron demokracinë dhe po pengon zhvillimin ekonomik në vend. Kurse rezultatet e luftimit të këtij fenomeni janë të padukshme, sidomos dënimet për personat e profilit të lartë janë simbolike./Ibna/