Kosovë: Tri universiteteve publike u tërhiqen akreditimet

Kosovë: Tri universiteteve publike u tërhiqen akreditimet
Në Kosovë, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, tërhoqi akreditimin për tri universitete publike, duke nxitur reagimin e këtyre institucioneve, por edhe qeverisë së Kosovës, që paralajmëroi veprime kundërshtuese.

Këshilli i Cilësisë, që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit vendosi që në bazë të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, t’u tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020, Universiteteve Publike; “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zeka” në Pejë.

Sipas këtij vendimi, këto universitete nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik, ndërsa vazhdon mësimi për studentët që tashmë janë në vitin e dytë dhe të tretë të studimeve.

Universitetet e përfshira në këtë vendim paralajmëruan ankesa duke e cilësuar atë të papranueshëm.

Ndaj vendimit të Këshillit të Cilësisë, reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke cilësuar të padrejtë.

“Nuk e pranoj faktin që dikush i jep vetes të drejtë që maturantët e familjeve të varfra dhe mesatare që nuk i kanë kushtet prindërit e tyre t’i sjellin për të studiuar në Prishtinë sepse rritet e trefishohet kostoja e studimeve, t’i lëmë në rrugë. Nëse dikush ka kujtuar se guxon të bëjë një gjë të tillë ka gabuar në emër të çfarëdo funksioni”, tha kryeministri Haradinaj.

Por, Xhavit Rexhaj, nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se reagimet e tilla janë ndërhyrje në pavarësinë Këshillit./ibna/