Kosovë, përleshje dhe përplasje mes politikanëve serbë

Kosovë, përleshje dhe përplasje mes politikanëve serbë
Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Slobodan Petroviç, njëherësh kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, tha se është sulmuar të mërkurën në qendër të Prishtinës nga dy persona të afërt me Listën serbe, subjekt ky i mbështetur nga Beogradi zyrtar.
Në një konferencë për gazetarë në mjediset e parlamentit të Kosovës, ai tha se është sulmuar pas një interviste në televizionin publik të Kosovës gjatë së cilës siç tha, kishte shpalosur disa punë të ministrit të shkarkuar të Bujqësisë nga lista Serbe, Nenad Rikalo. Zoti Petroviç tha se “ishin njerëzit e afërt të ish ministrit Nenad Rikalo që e sulmuan”.
Policia e Kosovës tha se kishte shoqëruar tre persona të përfshirë në një mosmarrëveshje dhe se çështja tashmë i ka kaluar prokurorisë, por nuk dha hollësi të tjera.
Por, Lista serbe hodhi poshtë akuzat e deputetit Petroviç, duke e akuzuar atë ndërkaq për sulm ndaj zyrtarëve të saj. Përmes një reagimi, lista Serbe tha se “është sulmuar anëtari i shquar Milan Kostiq pa ndonjë arsye nga kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviç, i cili e ka goditur në kokë me telefonin celular duke i shkaktuar plagë”.
Në reagimin e listës serbe thuhet se “ky është sulm i turpshëm mbi Milan Kostiçin të cilin serbët në Kosovë e njohin si një njeri familjar dhe i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbijetesën e popullit serb. Pas vitit 1999, kjo është hera e parë që një serb në Prishtinë është viktimë e sulmeve nga serbë të tjerë”,thuhet në reagimin e këtij subjekti, duke kërkuar nga policia dhe prokurorët të marrin të gjitha veprimet e nevojshme dhe të dënojnë deputetin Petroviç.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e dënuan incidentin, të cilin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit./Ibna/