Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja

Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja
Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka filluar organizimin e tubimeve me mbështetësit e saj në të gjitha qytetet e vendit.
Me moton: “kundër qeverisë së hajnisë” lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti ka kërkuar “zgjedhje të reja për ti dhënë fund këtij regjimi”.
Në tubimi e mbrëmshëm në Gjakovë, Kurti ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisë Haradinaj, duke përmendur: korrupsionin, nepotizmin, dështimin e proceseve eurointegruese, diplomacisë etj.
“Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të përfundojnë asnjë rast të vetëm të profilit të lartë të korrupsionit. Kemi kaluar në korrupsion transparent dhe vetëm prokuroria s’po sheh asgjë”, u shpreh kreu i Vetëvendosjes, duke shtuar se, “kjo qeveri do ta bankrotonte edhe vendet e BE-së e lëre më Kosovën”.
Ai ka thënë se kjo qeveri ka dështime të shumta edhe në proceset eurointegruese.
“Në shkurt 2018, qeveria deklaroi se deri në fundit të vitit 2018 Kosova do të fitojë statusin për kandidat në BE dhe kjo sot as që është në çështje të diskutimit. Koalicioni qeverisës gjatë vitit 2018 ka dështuar të zbatojë një të tretën e programit për MSA dhe i kanë humbur mbi 43 milionë nga fondi i BE-së”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, e vetmja rrugë për t’i dhënë fund kësaj është një qeveri e dalë nga zgjedhjet e reja, e cila sipas tij do t’i jepte fund ‘koalicionit të hajnisë’.
Zgjedhje të reja parlamentare ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj Isa Mustafa.
Ai ka theksuar se kjo qeveri nuk ka forcë dhe legjitimitet për ta çuar vendin përpara.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se qeveria e tij ka shënuar rezultate të shumta si asnjë qeveri e mëparshme.
Ai ka përmendur rritjen e pagave, krijimin e vendeve të reja të punës, krijimin e ushtrisë, dhe masat tjera për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Ibna/